Ambasadori gjerman i shokuar me mbeturinat e shumta në Kosovë

Kosova

Ambasadori gjerman i shokuar me mbeturinat e shumta në Kosovë

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 12:38
Christian Heldt

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt, është shprehur i shokuar me gjendjen e rëndë të mjedisit në Kosovë, veçanërisht me mbeturinat e shumta.

Edhe pse sipas tij, ka pasur aksione për pastrim së fundmi, ai mori një shembull se gjatë ditës së djeshme rrugës dhe tek Ujëvara e Mirushës ka hasur në shumë mbeturina të plastikës.

Diplomati gjerman gjatë lansimit të fushatës tre mujore për mjedisin dhe Javës në Diplomaci për Klimë të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se Kosova ka ende punë për rritjen e ndërgjegjësimit për fushën e mjedisit.

Heldt: Ujëvara e Mirushës me plot mbeturina

“Jam i shokuar kur shkojmë në male, si për shembull, dje në Ujëvarën e Mirushës dhe rrugës për atje ka pasur shishe të plastikës plot. Njerëzit marrin shishet me vete dhe i lënë në natyrë. Cili është problem nëse i marrin me vete për t’i hedhur. Pra, mendojmë se ndërgjegjësimi i qytetarëve është thelbësor për të bërë të qartë se mbeturinat plastike në natyrë nuk zhduken”, ka thënë Heldt.

Uji, cilësia e ajrit, menaxhimi i mbeturinave dhe efiçienca e energjisë janë katër shtyllat kryesore të fushatës, derisa përmirësimi i mjedisit është një nga hapat kryesorë për Kosovën në procesin e integrimit evropian.

Ricardo Serri, shef i Seksionit, Ekonomik dhe të Integrimeve Evropiane, tha se fushata për mjedisin synon rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit në mesin e popullatës së Kosovës për mbrojtjen e mjedisit dhe për të sfiduar idenë se mbrojtja e mjedisit është vetëm në përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës.

Serri: Ndotja e mjedisit është realitet në Kosovë

“Kontaminimi, lumenjtë ndotur, ndërtimet pa leje dhe mbeturinat janë realitet në Kosovë, pa përmendur edhe kualitetin e dobët të ajrit. Mbrojta mjediset është neglizhuar një kohë të gjatë në Kosovë. Dhe sa i përket Bashkimit Evropian jemi përpjekur shumë të bëjmë për mjedisin në Kosovë, dhe BE është e përkushtuar të bëjë edhe më shumë në të ardhmen”, ka thënë Serri.

Java e Diplomacisë për Klimën është një zotim i BE në ndryshimet klimatike, të iniciuar nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian dhe si ngjarje vjetore zhvillohet në gjithë botën.

Programi i Javës së Diplomacisë për Klimën përqendrohet në ngritjen e vetëdijes për ndryshimet klimatike, zbutjen e trendëve negative, të ndryshimeve klimatike edhe në Kosovë si pjesë e zonës më të gjerë gjeografike.    

Didier Chabert, ambasador i Francës në Kosovë, i cili foli për ndryshimet klimatike, ka thënë se edhe Kosova ndikohet nga ndryshimet klimatike, andaj sipas tij, autoritetet vendore duhet të inkorporojnë politikat e BE klimatike meqë është në rrugën e integrimeve evropiane. 

Chabert: Kosova duhet të jetë në harmoni me marrëveshjen e Parisit

“Shpresoj që Kosova do të përkufizoj objektivat saja të ndryshimeve klimatike për të reduktuar  emetimet e gazrave, për investime për efiçiencë të energjisë, për energji të ripërtërirë, duke reduktuar përdorimin e gazrave në harmoni me marrëveshjen e Parisit dhe BE-së”, theksoi Chabert.

Ndërsa, ambasadori Heldt ka thënë se aktualisht 85 për qind e energjisë prodhohet nga termocentralet me thëngjill, dhe një përqindje e madhe e popullatës përdorin dru për ngrohje, e cila çon në ndotjen e ajrit në Kosovë.

Sipas tij, nëse vazhdon prerja e pyjeve në mënyrë ilegale në këto përmase, parashihet që deri në vitin 2030 nuk do të ketë më pyje.

Igor Soltes, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, nëpërmjet një video-mesazhi, ka thënë se ndryshimet klimatike ndikojnë në ndotjen e ajrit, andaj, sipas tij, Kosova është me rëndësi të zbatojë ligjet e BE-së për ndryshimet klimatike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat