Studentët e Biokimisë kërkojnë organizim të moduleve shtesë për licencim

Kosova

Studentët e Biokimisë kërkojnë organizim të moduleve shtesë për licencim

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 13:41
Studentët e Biokimisë

(E plotësuar) - Studentët e biokimisë të Fakultetit të Shkencave Matematikë Natyrore, kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit, lidhur me krijimin e kushteve nga kjo ministri për organizim të moduleve shtesë për licencim.

Përfaqësuesi Hasim Avdiaj, tha se ende nuk e kanë të qartë se çka ka ndodhur, duke shtuar se institucionet përmendin probleme që për ta mbesin të panjohura.

Sipas organizatorëve, ky problem rreth 10 vjeçar prek përafërsisht 80 studentë.

Avdiaj: Prej shkurtit  kur kemi protestuar, ende nuk kemi marrë diçka konkrete

“Kërkesat tona janë që krijimi i kushteve prej Ministrisë së Arsimit, për organizim të moduleve që i ka kërkuar rektorati dhe ministria e Shëndetësisë, që sa kohë jemi duke u marrë me këtë problem, ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se çka ka ndodhë, krejt çka dimë janë krijuar disa grupe punuese në mes të ministrisë së arsimit, ministrisë së shëndetësisë dhe rektoratit.Koha po shkon, prej shkurtit kur kemi protestuar ende nuk kemi marrë diçka konkrete veç s’po na vinë në takim, s’po ka buxhet, e qesi probleme që për ne janë të paqarta, nuk pe kuptojmë çka ka ndodh”, tha ai.

Përfaqësuesi tjetër Ramiz Kozhani, tha se MASHT-i nuk ka vullnet për të punuar në këtë aspekt.

Kozhani: Ministria e Arsimit s’ka vullnet me vazhdu punën tutje

“Që 9 vite e kemi vendimin prej Qeverisë së Republikës së Kosovës, i votuar në parlament të Kosovës dhe nuk merret parasysh, tash ministri, kemi pas takim me ministër të shëndetësisë, na ka premtuar se do të zgjidhet shumë shpejt, ministria e shëndetësisë e ka pru punën deri te ministria e arsimit, ministria e arsimit ka neglizhuar dhe nuk po don me pas, nuk ka vullnet për me kry punën më tutje. Normalisht është dasht në bazë të premtimit që na kanë dhënë, në tetor me i fillu modulet shtesë”, tha ai.

Kurse nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, këshilltari Valmir Gashi ka thënë se ky institucion do të ftojë së shpejti një takim.

Gashi: Shpejt do ftojmë një takim, shpresoj se ata do të vinë

“Është e vërtetë që kjo kërkesë ka qenë edhe më herët dhe qysh atëherë ne kemi filluar me u marrë me një gjë të tillë , ne menjëherë kemi bë një komision që kanë qenë të përfshirë edhe Universiteti i Prishtinës edhe Ministria e Shëndetësisë, fillimisht Universiteti i Prishtinës e ka stopu si me thanë në atë kuptimin procesin, sepse ka kërkuar nëse vendimi i kryeministrit i viti 2009 ka qenë i plotfuqishëm apo jo, ne kemi marrë një interpretim ligjor pastaj nga dhe zyra ynë ligjore, dhe zyra ka dhënë interpretimin që vendimi është i plotfuqishëm. Pas kësaj ne si ministri kemi ftuar edhe dy takime të tjera dhe as Universiteti i Prishtinës, as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë marrë pjesë në këtë takim. Ne jemi të gatshëm për me zgjidh këtë çështje, do ta vazhdojmë procesin, me siguri shumë shpejt do të ftohen edhe në takim dhe shpresoj se ata do të vinë”, tha Gashi.

***

Mungesa e licencave për studentët e Biokimisë të Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë diplomuar në vitin 2014 nuk po ua lejon punësimin në institucionet publike dhe as në ato private.

E për të gjetur zgjidhje rreth kësaj çështje ata kanë protestuar tek Ministria e Arsimit,  Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) për organizim të moduleve shtesë për licencim.

Përfaqësuesi i studentëve të Biokimisë, Hasim Avdijaj, i cili kishte diplomuar në vitin 2014 tha se diploma e tij nuk po njihet askund dhe se pa licencë nuk mund të pranohet në asnjë punë.

Ai shtoi se institucionet për zgjidhjen e këtij problemi po ia hedhin fajin njëra-tjetrës

“Në kërkojmë krijimin e kushteve prej Ministrisë së Arsimit për organizim të moduleve që i ka kërkuar rektorati dhe Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë që të na lëshohet licenca. Ka kaluar shumë që jemi duke u marrë me këtë problem dhe ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se çfarë ka ndodhur, krejt çka dimë janë se janë krijuar disa grupe punuese mes Ministrisë së Shëndetësisë, Arsimit dhe rektoratit.  E vetmja përgjigje e zyrtarëve të arsimit është se nuk po u vijnë në takim zyrtarët e rektoratit dhe të shëndetësisë, kur shkojmë në rektorat na thonë që ne nuk kemi nevojë me ardh, vetëm na ndani buxhetin sa ju nevojitet dhe bazën ligjore dhe e organizojmë modulet”, tha ai.

Studenti tjetër, Ramiz Kozhani tha se ky problem është trajtuar edhe nga Qeveria e Kosovës para 9 vitesh dhe është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, por sipas tij ky vendim nuk po merret parasysh.

“Që 9 vite e kemi vendimin nga Qeveria e Kosovës, e votuar në parlament dhe nuk merret parasysh, kemi pas takim me ministrin e Shëndetësisë i cili na ka premtu që ka me u zgjidh problemi, na ka dërgu në Ministrinë e Arsimit dhe kjo në rektorat, askush nuk ka vullnet për me e kryer punën me tutje. Ministria e Shëndetësisë nuk po na lejon me marrë licencë pa këto modulet shtesë”, tha Kozhani.

Ndërsa, zëdhënësi i MAShT-it, Valmir Gashi tha para mediave se kanë bërë një grup punues së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe rektoratin por se këta të fundit sipas tij nuk kanë ardhur në takime.

Kallxo ka siguruar vendimin e Qeverisë që është miratuar për këtë çështje gjatë vitit 2009 në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat