Supremja anulon aktgjykimin e Themelores dhe të Apelit lidhur me Kryetarin e AKB-së

Kosova

Supremja anulon aktgjykimin e Themelores dhe të Apelit lidhur me Kryetarin e AKB-së

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 15:55
Agim Shahini

Gjykata Supreme e Kosovës e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë P.nr.244/2015 të datës 09.02.2017 dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës PA1.nr.339/2017 të datës 13.03.2018 lidhur me Kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, vendime të cilat patën dënuar me kusht 18 muaj burgim.

Sipas AKB-së, Gjykata Supreme e Kosovës e gjeti të bazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të avokatit Granit Vokshi, mbrojtës i Agim Shahinit.

“Sipas vendimit të Supremes, Aktgjykimi i Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit është i përshkruar me shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Në veçanti, Supremja ka gjetur se Z. Shahini nuk është person përgjegjës në Kompaninë e cila ka marrë kredi nga ana e Bankës TEB, por person përgjegjës është dikush tjetër. Duke mos qenë person përgjegjës në Kompani, i njëjti nuk mund të jetë as penalisht përgjegjës për çfarëdo veprimi të mashtrimit që mund të ketë ndodhur”, thuhet në njoftimin për media të AKB-së.

Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata Supreme ka gjetur se edhe sikur të ishte person përgjegjës brenda Kompanisë, kjo nuk do të thotë se ka pasur veprim të mashtrimit të manifestuar nga ana e Agim Shahinit.

“Kjo ngase asnjëra nga elementet e veçanta të veprës penale të Mashtrimit nuk janë manifestuar në këtë rast. Ky rast i takon domenit civil e jo penal”, thekson AKB.

“Agim Shahini në vazhdimësi ka theksuar se i tërë procesi gjyqësor është zhvilluar me inercion mirëpo, ka qenë i bindur se drejtësia do ta thotë fjalën e vet të fundit të bazuar në fakte e jo në me paragjykim. Vendimi i Supremes i pranuar gjatë kësaj jave e dëshmon se megjithatë duhet të kihet besim në sistemin e drejtësisë kosovare”, përfundon AKB.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat