Në shkollat publike të Komunës së Fushë Kosovës, arsimi parashkollor po paguhet privatisht. Banorët e fshatit Henc në këtë komunë po e paguajnë vetë mësimdhënësen e klasës parashkollore.
Përgjegjësi i shkollës fillore “Bajram Curri” së këtij fshati, Shaban Ademi, ka thënë se në pamundësi për të punësuar mësimdhënës të rregullt, kjo është zgjidhja më e mirë.
Mësimdhënësja Nagjije Shala jep mësim në shkollë publike, por nuk merr pagë nga shteti.
Ajo ka thënë se paguhet 100 euro në muaj, nga 10 euro për nxënës e kjo shumë është më e ulët se paga minimale në Kosovë.
Banorët e fshatit Henc kanë thënë se këtë e shohin si zgjidhjen më të arsyeshme, përndryshe janë të detyruar t’i shkollojnë fëmijët e tyre në shkolla tjera, për ku vetëm transporti iu kushton 45 euro në muaj.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani, ka thënë se ky problem ekziston në të gjithë komunën dhe kjo është parë si zgjidhje e vetme në shumë fshatra.
Në komunën e Fushë Kosovës, nuk ka klasë parashkollore në asnjë shkollë publike.
Arsimi parashkollor zhvillohet në kuadër të çerdheve private, që për shumë banorë është financiarisht e papërballueshme.