Në Obiliq largohen 19 deponi ilegale, në njërën prej tyre do të ndërtohet një park

Kosova

Në Obiliq largohen 19 deponi ilegale, në njërën prej tyre do të ndërtohet një park

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 12:57
Deponia e bërllokut në Obiliq do të bëhet park

(E plotësuar) - Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” ka vazhduar sot në komunën e Obiliqit, nga ku është bërë e ditur se deri më tani në këtë komunë janë larguar 19 deponi ilegale.

Ndërsa, është premtuar se kjo komunë do të jetë prioritet i Qeverisë sa i përket fushës së ambientit për shkak të ndotjes së ajrit që shkaktohet nga termocentralet.

Këtij aksioni të pastrimit iu ka bashkangjitur edhe ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi, i cili ka thënë se kjo komunë është prioritet i Ministrisë, pasi sipas tij i jep shumë Kosovës por dëmin më të madh e kanë banorët e kësaj pjese.

Matoshi ka vizituar edhe një deponi ilegale e cila është pastruar dhe do të bëhet park, e nga aty ai është zotuar se ky park do të bëhet shumë shpejt.

Matoshi: Shpresoj që niveli i ndotjes të zvogëlohet pas vendosjes së këtyre filtrave

“Për ajrin KEK-u, Ministria e Zhvillimit Ekonomik po punojnë për vendosjen e filterave të ri në Kosovën B, është një donacion nga Komisioni Evropian mbi 70 milion euro me të cilët po merret ministri Lluka bashkë me KEK-un. Shpresojmë shpejt që do të vendosen filterat në Kosovën B, jemi të përkushtuar edhe të vendosur që pa teknologjinë e fundit të filterave të mos japim leje ndërtimore dhe leje mjedisore për termocentralin Kosova e Re. Do të punojmë ngushtë me të gjithë akterët e përfshirë në këtë drejtim, shpresoj që niveli i ndotjes të zvogëlohet pas vendosjes së këtyre filterave nga termocentrali”, tha ai.

Kurse, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka bërë të ditur se deri më tani kanë larguar 19 deponi ilegale, ndërkohë ka potencuar se çështja e ambientit është prioritet për ta duke e pasur parasysh që në këtë komunë janë ndotësit më të mëdhenj.

Gashi: Edhe ne e kemi në fokus në vazhdimësi çështjen e ambientit

“Edhe ne e kemi në fokus në vazhdimësi çështjen e ambientit duke u bazuar që në komunën tonë janë ndotësit më të mëdhenj në Kosovë dhe faktikisht ne po mundohemi që të paktën deponitë inerte, deponitë ilegale t’i eliminojmë me qëllim që t’i shndërrojmë në pjesë të gjelbëruara”, tha ai.

Gashi deklaroi se kanë bërë apel edhe në Bashkësinë Islame që nëpër xhamia të kërkojnë që qytetarët të jenë të kujdesshëm për ambientin, ndërsa ditën e nesërme në shkolla nxënësve do t’u mbahen ligjërata në lidhje me ambientin.

Aksionit të pastrimit të Obiliqit iu ka bashkangjitur edhe KEK-u, ku Edmond Nulleshi, drejtor i Shërbimeve në KEK, ka bërë të ditur se kjo është hera e tretë që marrin pjesë në të tilla aksione për këtë komunë.

Nulleshi: KEK-u e ka objektiv kujdesin ndaj mjedisit

“KEK-u përkundër sfidave që i ka gjithsesi një prej objektivave kryesore e ka edhe kujdesin ndaj mjedisit ku punojmë dhe ku veprojmë. Në këtë vij brenda mundësive që i kemi jemi duke investuar në hapësira publike si në fusha sporti dhe parqe. Gjithashtu këtë aksion e kemi përkrahur duke e pasur parasysh që për mision është edhe përkrahja e komuniteteve dhe pastrimi i deponive”, tha ai.

Kurse, nga organizata mjedisore “Let’s do it Kosova”, Besnik Shabiu, ka bërë të ditur se që nga fillimi i aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” janë larguar diku rreth 200 deponi ilegale në të gjithë vendin.

Shabiu: Prej 15 shtatorit janë diku rreth 200 deponi ilegale

“Jemi bërë të gjithë bashkë këtu në komunën e Obiliqit sot për të dhënë një mesazh të qartë se jemi bashkë dhe jemi gati që Kosovën ta dërgojmë drejt proceseve të reja për një Kosovë pa mbeturina. Deri në momentin që po flasim prej 15 shtatorit janë diku rreth 200 deponi ilegale të cilat janë larguar në gjithë territorin e Kosovës. Tash jemi në fazën kur intensiteti i aksioneve të pastrimit gjithandej vendit është në fazën më të lartë”, tha Shabiu.

Ai u shpreh se detyrë e qytetarëve është që pas pastrimit të këtyre deponive ato të mbahen të pastra. Ndërsa, pas përfundimit të pastrimit të deponive ai bërë të ditur se do të fillojnë edhe me pastrimin e lumenjve.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë ditës ka zhvilluar edhe një takim në komunën e Obiliqit me kryetarin Xhafer Gashi.

Deponia e bërllokut në Obiliq do të bëhet park

Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” ka vazhduar ditën e sotme në komunën e Obiliqit.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se Ministri e kanë prioritet ketë komunë, për shkak se i jep shumë Kosovës e në këmbim merr ndotje shumë të madhe.

 "Sot me kryetarin Gashi jemi në Obiliq sepse është një nga prioritetet e Ministrisë. Është njëra ndër komunat ku do të kemi një vëmendje të theksuar në fushën e ambientit për shkak të ndotjes së ajrit që shkaktohet nga termocentralet", tha Matoshi.

Kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi, ka thënë se edhe si komunë e kanë prioritet çështjen e ambientit.

 "Edhe ne e kemi fokus çështjen e ambientit duke e pas parasysh se këtu janë ndotësit më të mëdhenj në Kosovë", tha Gashi.

Ministri dhe kryetari kanë vizituar edhe deponinë ilegale në këtë komunë e cila është pastruar dhe së shpejti do të bëhet park i qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat