ORCA: Publikimi shkencor në Universitetin e Prishtinës shënon rritje

Kosova

ORCA: Publikimi shkencor në Universitetin e Prishtinës shënon rritje

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 14:36
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka publikuar analizën shkencore, sipas së cilës 33 përqind e profesorëve të Universitetit të Prishtinës së paku një herë kanë publikuar punime në revista të dyshimta shkencore.

Adea Kondirolli, hulumtuese dhe autore e analizës, tha se krahasuar me vitin e kaluar, numri i punimeve shkencore të publikuara nga profesorët është rritur.  Ajo tha se një pjesë e këtyre punimeve janë publikuar në revista të dyshimta.

Në vitin 2017, në UP kanë qenë 1320 punime, ndërsa në vitin 2018 janë 1735.

Kondirolli: Profesorët e UP-së mashtrojnë akademikisht

“Fatkeqësisht, edhe përmes këtyre rregulloreve të reja deri diku të mira, profesorët e Universitetit të Prishtinës kanë gjetë mënyra për me interpretu edhe për me gjetë hapësira për me mashtru akademikisht. Disa nga profesorët e fakultetit të Inxhinierisë mekanike, për të cilët shpesh kemi ngritë këtë çështje, kanë gjetë dy revista të indeksuara por që nuk i plotësojnë kriteret, standartet e botimit shkencor. Këta profesorë kanë botuar pesë deri në 19 herë brenda një viti në këto dy revista, duke arritë m’u avancu me këto punime edhe duke e rritë numrin e punimeve për fakultet në 94 për vit”, ka thënë Kondirolli.

Prorektori për shkencë, Faton Berisha u shpreh se analiza të tilla i bëjnë nder UP-së, por kritikoi faktin që analiza nuk po bëhen edhe për universitetet e tjera.

Berisha: Të bëhen analiza edhe për universitetet e tjera

“Nuk e di do të ishin këto rezultate po të ishin marrë parasysh univeristetet e tjera publike, e merreni me mend pastaj universitetet private. Do të thotë, në njërën anë, unë pajtohem se shkuarja para në kualitet e UP-së pak a shumë e rregullon situatën e përgjithshme në arsimin e lartë në Kosovë, po nga ana tjetër, vërja në spikamë vetëm e njërit univeristet publik, megjithatë bën që pastaj shpërndarja e mjeteve të jetë goxha e pabarabartë, e padrejtë”, ka thënë Berisha.

Ndërkaq, i pyetur për masat që pritet të marrë UP bazuar nga këto të dhëna, tha se tani për tani po mundohen që ta zbatojnë në mënyrë më rigoroze ligjin ekzistues lidhur me publikime.

Bazuar në këtë analizë, del që vitin e kaluar numri mesatar për punime shkencore për profesor ka qenë 2.7, ndërkaq sivjet është rritur në 3.7. Me më së shumti punime shkencore për profesor, prin FSHMN- me 8 punime shkencore për vit, kurse fakulteti me më së paku punime është Filologjiku.

Sipas kësaj analize, fakultetet e shkencave ekzakte kanë më shumë punime shkencore se sa fakultetet e shkencave sociale dhe humane. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat