Miratohen marrëveshjet ndërkombëtare, s’ka kuorum për ta ndryshuar kodin e procedurës penale

Kosova

Miratohen marrëveshjet ndërkombëtare, s’ka kuorum për ta ndryshuar kodin e procedurës penale

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 17:45
Kuvendi i Kosoves

(E plotësuar) - Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon me debatin për rishikimin e kodit të procedurës penale të Kosovës, ku u tha se nisma është për lejimin e hetimit, akuzimit dhe gjykimit në mungesë për krimet e luftës.

Deputetja Albulena Haxhiu tha se ka pas pengesa për hartimin e këtij ligji me arsyetimin se është shkelje e të drejtave të njeriut, por ajo përmendi vendet që e kanë të lejuar gjykimin në mungesë siç janë Shqipëria, Çekia, Austria, Belgjika, Kroacia, Finlanda, Hungaria, Suedia, Estonia, Greqia, Rumania, Sllovenia, Zvicra, Franca, Italia, Polonia, Serbia, Spanja, Turqia dhe të tjera.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti ka thënë se ne po kërkojmë për ta dënuar dike por edhe në Kosovë ka mjaftueshëm për t’u dënuar.

“Ligji jonë nuk lejon kthimin e shtetasve të Kosovës në vendet ku kanë bërë krimin, ne kemi me qindra qytetarë të Kosovës që kërkohen në vende evropiane dhe janë të lirë në Kosovë. Na kanë vra, dihet ajo punë, na kanë vra, kemi fituar dihet ajo punë”, ka thënë ai.

Kurse, kryetari i VV-së, Albin Kurti ka thënë se Serbia ka shkaktuar dëme dhe si të tilla duhet t’i kompensojë ato, por edhe shteti i Kosovës duhet t’i kërkojë ato.

Kjo nismë është iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje por në fund nuk kishe kuorum për ta votuar.

Deputetët miratojnë marrëveshjet ndërkombëtare

Pas votimit të pakos me tre projektligjet për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kuvendi ka miratuar sot projektligjin për marrëveshjen për sigurime Sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës dhe marrëveshjen për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës

 Për këtë të fundit, deputetët kanë thënë që nuk është arritur më e mira, megjithatë e kanë përkrahur duke thënë që është në të mirë të qytetarëve.

Lidhur me marrëveshjen për Sigurime Sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës deputeti Ismajl Kurteshi ka thënë se duhet të ndërmerren masat e nevojshme për zgjidhjen e çështjes së pagesave retroaktive.

Kurteshi: Të zgjidhet çështja e retroaktivitetit

“Kësaj marrëveshje ne duhet t’i besojmë, duhet ta ratifikojmë, por ju kisha lutë, menjëherë të ndërmerrni veprimet e duhura që të bisedoni me Qeverinë Zvicerane, që  të zgjidhet cështja e retroaktivitetit, të pagesave dhe të ofrimit të shërbimeve për të gjithë ata bashkëqytetarë tanë që i kanë humbur gjatë këtyre 8 viteve”, tha ai.

Por, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka thënë se kjo marrëveshje nuk prodhon retroaktiv, dhe ka pranuar që mbetët shqetësim çështja me personat që nga viti 2010 deri sot nuk kanë mundur të realizojnë të drejtë ne tyre. 

Reçica: I kemi shpenzuar të gjitha mundësitë para nënshkrimit të kësaj marrëveshje

 “Kjo marrëveshje, e ka një histori të saj. Marrëveshje e vitit 1962 e lidhur mes Federatës jugosllave në atë kohë, dhe Konfederatës së Zvicrës, është ndërprerë në vitin 2010, dhe kanë filluar negociatat pas 3 vitesh, gjegjësisht në vitin 2013, dhe janë desht plot 5 vite të vijë deri te ky moment dhe një nga arsyet kanë qenë mangësitë në legjislacionin e Kosovës, dhe është dasht të kryhet një mal punë në aspektin legjislativ që të vijm te ky moment. Kjo është marrëveshje që nuk prodhon retroaktiv, mbetët shqetësimi i yni për të gjithë ata qytetarë për këtë periudhën nga 2010 e deri sot, deri në momentin kur ratifikohet kjo marrëveshje që nuk kan mundur të realizojnë të drejtat e tyre, do të mbetët përkushtim i yni të shikojmë të gjitha mundësitë. Por ajo që dua të iu siguroj është që nuk e kemi nënshkruar këtë marrëveshje pa i shtjerrë  të gjitha mundësitë për të parë se çka mund të bëjmë për ata qytetarë që për një periudhë kohore nga 2010 nuk e kanë realizuar të drejtën e tyre”, tha ai.

Kuvendi ka bërë sot edhe shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e Traktatit që themelon komunitetin e transportit.

Deputetët u pajtuan të votojnë këtë projektligj por me dy shtojca përmes së cilave Kosova tregon se i njeh kufijtë e vet administrativ.

Osmani: Çdo dokument që vjen me fusnotë do të ia bashkojmë deklaratën

“Traktatin të cilin ne sot e ratifikojmë duhet t’i ketë dy dokumente shtesë, e para është kjo deklaratë e deponuar nga Republika e Kosovës së bashku me traktatin në Trieste , dhe e dyta është deklarata që e përmendi Glauku të cilën Kuvendi i Kosovës ka vendosur një herë e mirë që cdo dokument që vjen me fusnotë ne ja bashkëngjisim atë deklaratë. Por, sidomos kjo e para është e domosdoshme sepse së bashku me traktatin është deponuar kjo në emër të Kosovës dhe duhet patjetër sot të ratifkikohet bashkë me të”, tha Vjosa Osmani. 

Ndërsa ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se pas votimit do ta njoftojnë Brukselin për deklaratat shtesë.

Ndër të tjera, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe marrëveshjen bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut në kuadër të Projektit të bashkëpunimit zhvillimor, KSV/019: asistencë teknike në kontekstet e integrimit evropian.

Gjithashtu, u votua për ratifikimin e ndryshimit dhe plotësimit nr. 1 të Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kuvendi sot miratoi edhe ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës, Ministrisë së inovacionit dhe Ndërmarrësisë, dhe GIZ-it gjerman.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat