Ky është vendimi i Supremes për rastin e dhunimit të Vasfije Krasniqit, në prill të 99-ës

Kosova

Ky është vendimi i Supremes për rastin e dhunimit të Vasfije Krasniqit, në prill të 99-ës

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 23:21
Vasfije Krasniqi Goodman

Vasfije Krasniqi ishte dhunuar nga dy persona, por Gjykata Supreme nuk kishte arritur që të vërtetonte se këtë vepër të krimeve të luftës e kishin kryer dy serbët e akuzuar, Jovica Dejanoviq, ish-polic i Kosovës, dhe Gjorgje Bojkoviq.

Në 20 faqe të aktgjykimit të nxjerrë nga tre anëtarët e kolegjit të përbërë prej dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe gjyqtares vendore Nesrin Lushta, ishte vendosur që të anulohet vendimi i Gjykatës së Apelit, duke i lënë në liri dy serbët e akuzuar për dhunim.

Në arsyetimin e Supremes të vitit 2014, thuhet se identifikimi i autorëve të krimit nuk është bërë në mënyrë të duhur, duke bërë që të mos vërtetohet përtej dyshimit të bazuar që të pandehurit në këtë rast ishin personat të cilët e kanë kryer dhunimin.

“Bazuar në krahasimin e të gjitha deklaratave të palës së dëmtuar e gjithashtu edhe të dëshmitarëve, Gjykata Supreme konsideron se përshkrimet e autorëve të krimit janë të përgjithshme dhe të paqarta, të cilat nuk mjaftojnë që të arrihet përfundimi përtej dyshimit të bazuar se të pandehurit në këtë rast ishin ata të cilët i kishin kryer veprat penale”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Sipas këtij vendimi të Supremes, probleme të identifikimit të të pandehurve janë vërejtur te fotografitë e treguara palëve.

“Sa i përket të pandehurit të parë, është evidente se nga 8 fotografitë e treguara te pala e dëmtuar dhe te dëshmitarët e rastit, vetëm një fotografi e Jovica Dejanoviqit ishte shënjuar kështu, duke e ngritur shqetësimin se pala e dëmtuar dhe dëshmitarët kanë pasur mundësi të jenë të udhëzuar në identifikimin e kryerësit të veprës penale”, thuhet në këtë arsyetim.

“Sa i përket të pandehurit të dytë, fotografitë e treguara te palët e dëmtuara përmbanin pamje të personave të rinj dhe vetëm një fotografi tregonte Gjorgje Bojkoviqin në pamjen e një personi të vjetër, që përkonte me deklaratën e palës së dëmtuar se dhunuesi i dytë ishte një person i vjetër”, thuhet më tej aty.

Në këtë aktgjykim, gjithashtu thuhet se Gjykatës Supreme i mungojnë dëshmi se si kishte rrjedhur procesi i identifikimit gjatë dëshmisë së parë të Krasniqit dhënë një zyrtari të UNMIK-ut më 13 tetor të 99-ës.

Megjithatë, Gjykata Supreme në asnjë moment nuk e kishte vënë në dyshim se rrëmbimi dhe dhunimi i Vasfije Krasniqit kishte ndodhur më 14 prill të 99-ës, derisa në gjithë aktgjykimin, luftës kjo Gjykatë i referohet si ‘konflikt i armatosur’.

“Gjykata Supreme është e kënaqur dhe e gjen si të vërtetuar se personi në cilësinë e zyrtarit të policisë serbe, gjatë periudhës kohore të konfliktit të armatosur në Kosovë, më 14 prill ’99, ka rrëmbyer Vasfie Krasniqin, duke e dërguar atë në një lokacion të panjohur afër Babin Mostit. Ai pastaj e dhunoi atë, duke e detyruar, i armatosur me pushkë dhe duke e kërcënuar me thikë, që të ketë forma të ndryshme të marrëdhënies seksuale kundër vullnetit të saj, brenda veturës së tij. Përkundër mospërputhjeve në deklaratat e palës së dëmtuar, Gjykata Supreme konsideron gjithashtu të vërtetuar se personi i dytë i etnitetit serb, më 14 prill ’99, ka dhunuar Vasfije Krasniqin, duke e dërguar atë në një shtëpi të papërfunduar në Babin Most, duke e hedhur atë në dysheme dhe duke e detyruar që të bëjë marrëdhënie seksuale pa vullnetin e saj”.

Për gjithë këtë aktgjykim, ktv-ja ka kërkuar përgjigje nga Nesrin Lushta, kryetare e këtij kolegji atëkohë, dhe nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Por, as Lushta e as Supremja nuk kanë pranuar të flasin, duke thënë se e kanë të ndaluar të komentojnë çfarëdo aktgjykimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat