Thaçi: Kosova do ta ketë ushtrinë sipas standardeve më profesionale në rajon

Kosova

Thaçi: Kosova do ta ketë ushtrinë sipas standardeve më profesionale në rajon

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 12:19
Hashim Thaçi dhe Rrahman Rama

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se kalimi i tri projektligjeve për shndërrimin e FSK në ushtri, edhe pse të vonuara, janë një hap i nevojshëm dhe në rrugë të drejtë dhe koordinim të plotë me të gjithë mekanizmat dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ai gjatë një takimi me ekipin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që zuri vendin e tretë në garat ndërkombëtare “Cambrian Patrol”, tha se FSK është e gatshme për përgjegjësi shtesë dhe t’iu përgjigjet rrethanave dhe situatave të reja të krijuara.

Thaçi: Kosova do ta ketë ushtrinë e saj me standarde prej më profesionaleve

“Sot unë jam këtu që t’i uroj dhe t’i përgëzoj eprorët, togerët, ushtarët e FSK-së, komandantin për punën e tyre shumë të mirë, por edhe për suksesin e ri të shkëlqyer që kanë arritur ditë më parë me pjesëmarrjen e tyre në një garë në Britani. Ku kanë marrë pjesë 144 ekipe, ekipi i FSK-së ka fituar të bronztën dhe mendoj që është një e arritur e re që duhet të na bëjë të ndihemi mirë dhe shumë krenar secilin nga ne. Është meritë e tyre individuale, ekipore, e FSK-së, e shtetit të Kosovës, por në të njëjtën kohë nuk ka qenë një betejë e lehtë, një garë e lehtë, por kanë arritur që të radhiten nga 144 ekipe në vendin e tretë. Unë si president i vendit ndjehem jashtëzakonisht mirë dhe sot i uroj dhe i përgëzoj për këtë sukses duke kërkuar gjithmonë suksese edhe më të mëdha. Jam i bindur që do t’i arrini të gjitha objektivat të cilat i keni para jush, tash edhe me transformimin e ri të FSK-së, marrja e përgjegjësive të reja, në një ushtri të re, moderne, e standardeve të NATO-së, multietnike, me përfaqësim gjinor dhe Kosova gradualisht do ta ketë ushtrinë e vet të ardhshme të standardeve prej më profesionalëve në rajon. Natyrisht t’i kontribuoj paqes në Kosovë, në rajon, por edhe në misione paqësore kudo në botë”, tha ai.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka thënë se nuk ka qenë një garë e lehtë, por që ekipi i FSK-së ka arritur ta përfundojë me shumë sukses.

Rama ka thënë se FSK do të vazhdojë obligimet dhe detyrat e veta që i përcaktohen me ligj dhe me Kushtetutë, ndërsa ka potencuar se do t’i implementojnë të gjitha obligimet që vijnë nga hierarkia.

Rama: Të gjitha raportet prej eprorëve të Mbretërisë së Bashkuar kanë qenë të mira

“Është një prej garave më prestigjioze në botë dhe është hera e dytë që FSK që është pjesë e kësaj gare. Në prezencën e 144 ekipeve që me kushtet atmosferike të jashtëzakonshme që kanë qenë në atë kohë, kam pasur rastin të shkoj dhe t’i vizitoj për një periudhë të shkurtër dhe të gjitha raportet që i kam marrë prej eprorëve të Mbretërisë së Bashkuar kanë qenë shumë të mira për angazhimin, për përkushtimin, motivin dhe disiplinën që e kanë pasur ekipi i FSK-së. Është obligim i joni dhe ne do të vazhdojmë dhe shumë me rëndësi është që ne këto përvoja, këto eksperienca, t’i bartim edhe brenda institucionit tonë. Ne vitin e kaluar kemi organizuar një kësi gare, e kemi quajtur “Shqiponja patrulluese”, ideja ka qenë që ta bëjmë një test të brendshëm dhe me qëllimin e synimin që vitin e ardhshëm ta bëjmë një garë që do të jetë ndërkombëtare dhe me të gjitha ato përvoja që i kemi mar rë”, tha ai.

Forca e Sigurisë së Kosovës, përkatësisht ekipi i përzgjedhur i FSK-së që ka marrë pjesë në këtë garë, fitoi medaljen e bronztë në garën ndërkombëtare të patrullimit në Uells, garë kjo ku kanë marrë pjesë 137 ekipeve, prej tyre 37 ekipe të ushtrive ndërkombëtare.

Në këtë garë, ekipi i FSK-së ka përshkruar një sfidë lundrimi me gjatësi prej 80 kilometrash, përmes një sërë skenarësh të dizajnuar për të testuar udhëheqjen, punën ekipore dhe durimin fizik dhe mendor të ekipit.

Përveç Republikës së Kosovës, në garën ndërkombëtare patrulluese në Britani të Madhe morën pjesë edhe ekipet e  forcave të armatosura të vendeve të rajonit, si ato nga Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

***

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi edhe njëherë ka folur për dialogun me Serbinë dhe korrigjimin e kufirit me shtetin fqinj.

Thaçi tha se ky dialog ka kuptim vetëm nëse ka njohje për Kosovën ndërsa tha se do ta shtyjë përpara çështjen e korrigjimit të kufirit ku Lugina e Preshevës i bashkohet Kosovës.

"Pas arritjes së marrëveshjes të hiqet vetoja ruse. Për ditën dhe kohën kur do të ndodhin takime të tjera vendos Bashkimi Evropian. Nuk është fokusi vetëm tek një çështje e caktuar e marrëveshjes. Do ta shtyj përpara çështjen e korrigjimit të kufirit ku Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Do të punojmë që të kemi një marrëveshje të dyanshme", tha presidenti sot në një pritje që i ka bërë ekipit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që kanë marrë pjesë në gara ndërkombëtare "Cambrian Patrol".

Sa i përket rastit të djalit të  shefit të AKI-së Shpend Maxhuni, presidenti tha se ka përcjellë të gjitha  zhvillimet politike duke thënë se pret nga të   gjitha autoritetet përkatëse të shikojnë me hollësi gjitha zhvillimet.

Ekipin e FSK-së Thaçi e ka falënderuar dhe përgëzuar për arritjen e tyre.

"Janë shembulli dhe mesazhi më i mirë që po dërgohet se FSK është e gatshme për misione shtesë. I uroj për suksesin që e kanë arritur ekipi kosovar. Është një e arritur e re që duhet të na bëjë të ndjehemi mirë dhe krenar. Nuk ka qenë një garë e lehtë por kanë arritur të renditen në vendin e tretë", tha ai.

Komandanti i FSK-së Rrahman Rama, ka thënë se pjesëtarët e kësaj force kanë marrë pjesë në një nga garat më prestigjioze në botë. "Është një prej garave më prestigjioze në botë dhe është hera e dytë që FSK merr pjesë. Të gjitha raportet që i kam marrë nga Mbretëria e Bashkuar kanë qenë shumë të mira", tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat