Përfshirja e fëmijëve në edukimin parashkollor e pakënaqshme

Kosova

Përfshirja e fëmijëve në edukimin parashkollor e pakënaqshme

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 12:37
Bytyqi, priti sot në takim një ekip të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti sot në takim një ekip të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), me të cilin bisedoi rreth gjendjes në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë, reformat, çështje buxhetore, si dhe Ligjin për mësimdhënësit e viteve 90-ta.

Bytyqi foli për gjendjen në edukimin parashkollor në nivelin 0-5 vjeç dhe tha se përfshirja e fëmijëve në këtë nivel nuk është e kënaqshme, dhe se gjasat për përfshirje 95 për qind është larg mundësive tona aktualisht. Ai tha se në këtë drejtim po punohet me disa partnerë ndërkombëtare që të gjenden zgjidhje të tjera për përfshirje më të madhe të fëmijëve në këtë nivel.

Duke folur për zhvillimet në arsimin parauniversitar, ministri Bytyqi theksoi se në vitin e ri shkollor do të ketë tekstet e reja, ndërkohë që po punohet edhe në hartimin e udhëzimit administrativ për emërimin e drejtorëve të shkollave.

Ndërsa, sa i përket arsimit profesional, ministri Bytyqi tha se është i angazhuar që të rritet shkalla e bashkëpunimit me komunitetin e biznesit për zbatimin  e mësimit praktik  dhe se është duke u hartuar kurrikula bërthamë dhe standardet e profesioneve.

Ministri Bytyqi i informoi ekipin e FMN-së edhe për zhvillimet në arsimin e lartë me  ç`rast tha se është hartuar ligji i ri për këtë nivel, i cili pritet të miratohet, ndërsa në bashkëpunim me USAID-in është formuar një grup ekspertësh për hartimin e strategjisë për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë.

Ai gjithashtu njoftoi përfaqësuesit e FMN-së për fillimin e hartimit të ligjit për Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, i cili do të jetë i gatshëm vitin e ardhshëm.

Në takim u bisedua edhe për Ligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, koston e implementimit të tij, si dhe mundësitë e implikimeve anësore të këtij ligji.

Lidhur me këtë, ministri Bytyqi tha se është diskutuar disa herë edhe me deputetët në Komisionin Parlamentar për Arsim dhe versioni i parë ka pësuar disa ndryshime dhe pritet të ketë ndikim më të arsyeshëm buxhetor në zbatimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat