Nis kursi i gjuhës kroate në UP, pritet hapja e një kursi në shqip edhe në Zagreb

Kosova

Nis kursi i gjuhës kroate në UP, pritet hapja e një kursi në shqip edhe në Zagreb

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 13:58
Kursi akademik i gjuhës kroate në Fakultetin e Filologjisë

Ka nisur sot kursi akademik i gjuhës kroate në Fakultetin e Filologjisë, ku studentët e UP-së do të kenë mundësinë të marrin njohuri fillestare nga profesoresha Ivanqica Bankoviq – Mandiq, nga Universiteti i Zagrebit, ndërsa së shpejti pritet edhe hapja e kursit të gjuhës shqipe në Universitetin e Zagrebit.

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, tha se gjuha është hapi i parë përmes së cilës hapen shtigjet për të njohur, shoqëri dhe kultura të reja.

Ajo theksoi se ky bashkëpunim ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe atij të Zagrebit është hap i rëndësishëm në bashkëpunimin e mëtejmë në mes të dyja vendeve.

Kapitanoviq: Shumë shpejt do të kemi kurs të shqipes në Zagreb

“Ky është një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet tona, sepse qysh sot, ju do të keni mundësinë të mësoni kroatishten si një gjuhë të huaj dhe shumë shpejt presim që të bëjmë të njëjtën edhe me mësimin e gjuhës shqipe në universitetin e Zagrebit. Dhe, unë nuk shoh diçka më të mirë se sa të rinjve t’iu jepet mundësia për të mësuar një gjuhë të huaj. Gjuha është primare për njohjen e fqinjëve. Tash ju e keni mundësinë të mësoni gjuhën, dhe pas studimeve, pse jo, të vazhdoni masterin në Kroaci apo diku tjetër”, tha ajo.

Diplomatja kroate theksoi se vendi i saj e ka mbështetur dhe do të vazhdojë të përkrahë Kosovën, posaçërisht në zhvillimin ekonomik.

Lindita Sejdiu - Rogova, dekane e Fakultetit Filologjik, tha se ideja e këtij projekti është e kamotshme. Ndërsa bëri të ditur se kursi është intensiv dhe mirëpret studentë të të gjitha degëve të Universitetit të Prishtinës.

Ajo pohoi se ky kurs dhe hapja e kursit të gjuhës shqipe në Universitetin e Zagrebit, janë një investim reciprok i cili vlen shumë.

Sejdiu – Rogova: Vitin tjetër memorandum për shkëmbim studentësh Kosovë-Kroaci

"Shpresojmë që vitin tjetër qeveritë tona të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për shkëmbime të studentëve Prishtinë – Zagreb, dhe jo vetëm të Fakultetit Filologjik, por edhe të fakulteteve tjera si turizëm, ekonomi dhe të tjera", tha ajo.

Ndërsa, profesoresha Ivançica Bankoviq - Mandiq, tha se është shumë e lumtur që ka rastin të vazhdojë punën e palodhshme me studentë.

Bankoviq – Mandiq: Jam shumë e lumtur që jam këtu për t’ju mësuar kroatishten

“Jam shumë e kënaqur dhe krenare që jam këtu. Unë jam shumë e lumtur dhe e gatshme të fillojmë të mësojmë dhe të punoj me ju. Dhe gjithashtu e nderuar, sepse kam nderin të vazhdoj diçka që ka ndodhur para shumë vitesh”, u shpreh ajo.

Ndryshe, deri më tani janë lajmëruar 30 studentë të Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë shprehur interesim për të ndjekur kursin e gjuhës kroate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat