Qëndresa epike e dëshmorëve të luftës, frymëzim për brezat e sotëm

Kosova

Qëndresa epike e dëshmorëve të luftës, frymëzim për brezat e sotëm

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 17:55
Pamje nga përvjetori

Nën përkujdesjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, sot është mbajtur akademi përkujtimore, në 20-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve të kombit Xhelal Hajda - Toni, Selajdin Mullabazi - Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Imeri.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se nëse shikohet se çfarë është bërë që dy dekada, vërehet se është punuar mjaft, mirëpo nëse merret për bazë amaneti i heronjve, ka shumë punë për të bërë.

"Jam krenar që kam qenë bashkëluftëtar dhe që e kam njohur Tonin e Micin, janë emblema të komunës së Rahovecit, jemi krenar me trimërinë e tyre. Ata kanë qenë bashkë tërë kohën, dhe bashkë edhe janë flijuar", ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se edhe pse kanë kaluar 20 vjet prej flijimit të tyre, ende është i freskët kujtimi për heronjtë.

"Shumë vështirë është me sjell krejt historinë e tyre sonte, por ata bëjnë pjesë nga luftëtarët më të zot. Fakti se janë flijuar së bashku, flet po ashtu për lidhjen e fuqishme që kishin për të sjellë lirinë në vend. Jemi 20 vite pas, duke parë që fëmijët po rriten, testamenti që na kanë lënë heronjtë po realizohet. Edhe pse dëshmorët e kanë ëndërruar një Kosovë më të mirë", ka theksuar Haradinaj.

Smajl Latifi, kryetar i komunës së Rahovecit në këtë akademi përkujtimore, është shprehur se 20 vjet më parë Rahoveci ishte bërë arenë e shfrenuar në mes pushtuesve dhe luftëtarëve të Kosovës.

"Rahoveci ka shumë të dhëna për qëndresën e gjithë këtyre burrave. Ata e paguan me flijimin e tyre, duke mos ulur qafën para pushtuesve. Qëndresa e tyre epike vazhdon të na frymëzojë edhe sot. Gjaku i heronjve nuk do të tretet e as nuk do të thahet. Dëshmorët nderohen jo vetëm kur i kujtojmë me përmendore, por ata na kujtojnë që edhe ne do të flijohemi", tha Latifi.

Në emër të familjarëve të dëshmorëve, djali i Selajdinit, Ermal Mullabazi ka falënderuar pjesëmarrësit në këtë akademi përkujtimore.

"Pa gjakun e dëshmorëve, ne nuk do të mundeshim të ishim sot këtu. E falënderoj çdo individ që kujton rënien e tyre", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat