Qeveria nuk plotëson kërkesat, zjarrfikësit protestojnë më 15 nëntor

Kosova

Qeveria nuk plotëson kërkesat, zjarrfikësit protestojnë më 15 nëntor

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 12:31
Sindikata e Zjarrfikësve

Përkundër premtimeve që Qeveria e Kosovës u ka dhënë zjarrfikësve se do përmirësojnë gjendjen e tyre, ata ende nuk kanë marrë asnjë veprim konkret, andaj zjarrfikësit kanë paralajmëruar protestën e radhës më 15 nëntor.

Si kërkesa kyçe drejt institucioneve shtetërore që edhe sot Sindikata e Zjarrfikësve i ka paraqitur në një konferencë për media janë nivelizimi i koeficienteve në nivel komunave, nivelizimi  i rrezikshmërisë së punës me Policinë e Kosovës, të kompensohen ndërrimet e natës, festat shtetërore, fetare dhe orët jashtë orarit, të përmirësohen kushtet e punës, të sigurohen pajisje dhe mjete për punë.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka u shpreh se ndonëse kanë kaluar tre muaj që kur morën zotimin se do të përmbushen kërkesat e tyre, ende nuk ka asnjë veprim në këtë drejtim nga institucionet përkatëse.

Sipas tij, për kërkesat e tyre  nuk ka pasur koordinim në mes Ministrisë së Financave, Ministrisë së Administratës Publike dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ai tha se për shkak të injorancës së institucioneve ata po detyrohen që të mbajnë protestën më 15 nëntor  pasi që nuk kanë rrugëdalje tjetër.

Beka: Na shqetëson injoranca e institucioneve lokale dhe qendrore

“Çka na shqetëson më së shumti është injorancë ,neglizhenca nga institucionet si komunale ashtu edhe nivelin qendror edhe komuna edhe kryetarët e komunave kanë përgjegjësi edhe ligji për qeverisje lokale iu jep kompetencë, jemi me paga në Kuvendet Komunale, mirëpo asnjë obligim nuk e marrin me pretekstin se jemi staf i Ministrisë së Brendshme, Ministria e Punëve të Brendshme thotë se pagat i merrni në komunë. Kemi pritur derisa janë shtjerr të gjitha mundësitë asnjë shpresë se diçka nuk na u është dhënë se diçka do të realizohet dhe së paku tash as në ligjin për buxhetin 2019 në asnjë pasqyrë nuk vërehet se ka asnjë financë në mjete financiare për shërbimin e zjarrfikësve”, u shpreh ai.

Beka ka deklaruar se do intervenojnë vetëm në rastet kur është në pyetje jeta e njeriut, e jo në rastet tjera sado që janë emergjente, pasi që zjarrfikësit ballafaqohen me shumë telashe dhe mund të rrezikohet edhe jeta e tyre.

Punëtorët e shërbimit emergjent zjarrfikës  për këto protesta dhe veprimet  tjera sindikale e kanë marrë mbështetjen edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Nënkryetarja e BSPK-së, Leonora Lokaj e ka konsideruar si diskriminues fakti që dispozita të njëjta ligjore në vendin tonë implementohen ndryshe në sektorin publik.

Lokaj: Implementimi i ligjit bëhet në mënyrë diskriminuese

“Është pak e çuditshme fakti që kushedi sa vite pas lufte vijmë në një situatë të implementimit të ligjeve në mënyrë diskriminuese aq më tepër në sektorin publik kur  kushtet elementare të këtyre punëtorëve që tani si jetike për vendin, të zjarrfikësve nuk implementohen dhe dispozitat e ligjeve nuk janë implementuar ashtu siç implementohen  në disa nga dikasteret dhe organizatat tjera qeveritare, duke filluar nga statusi juridik i cili është një e drejtë për secilin punëtor”, ka shtuar Lokaj.

Kryetari i Këshillit Protestues, Zymri Krasniqi u shpreh se për shkak të mos reagimit nga Qeveria për gjendjen e tyre të vështirë, ata detyrohen të dalin në protesta dhe të mbajnë greva.

Krasniqi: Nuk kemi kërkuar të jemi supermen, por të drejtat që na i përcakton ligji

“Protestat e sot një javëshit do jenë protesta të pashmangshme dhe do t’i kërkojmë të drejtat  tona me gjithë kushte pavarësisht eskalimi i gjendjes, ose ecuria e protestave ne do të jemi këmbëngulës në realizimin e kërkesave tona, nuk dëshirojmë që ky shtet të jetë shesh i protestave, mos na detyroni ju lutem. Realisht, zjarrfikësit janë me një status mjaftë të vështirë nuk kemi dashur të jemi supermenat e këtij shteti por kemi kërkuar të jemi diçka çka na takon me ligj”, ka deklaruar Krasniqi.

Në këtë konferencë zjarrfikësit paralajmëruan se nuk do t’i ndalin protestat deri në arritjen e marrëveshjes me shkrim për plotësimin e kërkesave të tyre.

Ndryshe, zjarrfikësit me qëllim që kërkesat e tyre të plotësohen patën protestuar edhe më 12 korrik, dhe se me vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj ishte themeluar një komision qeveritar që do të merrej me përmirësimin e gjendjes së këtyre punëtorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat