Vetëm 10 inspektorë për 1500 institucione shëndetësore

Kosova

Vetëm 10 inspektorë për 1500 institucione shëndetësore

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 17:37
Klinikë në QKUK (Foto nga arkivi)

Për gjithë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej dhjetë inspektorë shëndetësorë. Ata kryejnë inspektime për rreth 1500 institucione shëndetësore, aq sa janë të regjistruara në vend.

Për dhjetë muaj të këtij viti, ata kanë inspektuar 930 institucione. Ardita Baraku, krye-inspektore në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se është paraparë që me strategjinë sektoriale shëndetësore 2017-2021, do duhej të punësoheshin 35 inspektorë. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Vitin e kaluar janë punësuar katër inspektorë shëndetësorë, për të rritur numrin në dhjetë, derisa është operuar me gjashtë sosh për vite të tëra, për gjithë këtë numër të madh institucionesh shëndetësore.

“Për t’i inspektuar në mënyrë të denjë institucionet,do të duhej të ishin 35 inspektorë apo edhe më shumë, në mënyrë që të profilizohen inspektorët dhe të familjarizohen me ato institucione që i inspektojnë, ashtu që do të njiheshin më për së afërmi me problematikat e klinikave. Ndryshe, si të paprofilizuar, nuk i njohin të gjitha problemet që i kanë klinikat e caktuara. Megjithatë, janë bërë rreth 930 inspektime gjatë këtij viti”, thotë Baraku.

Në anën tjetër, brenda Qendrës Klinike Universitare, si qendër terciare dhe referente për gjithë Kosovën, thonë se inspektimet nuk janë në nivelin që do të duhej, por që herë pas here inspektohen klinikat.

Shpend Fazliu, zëdhënës në këtë institucion, bën të ditur se sa më shumë që do të kishte inspektime nga Inspektorati shëndetësorë, ajo do të ndikonte në ngritjen e performancës brenda institucioneve shëndetësore.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës me klinikat e saj, por edhe të gjitha njësitë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, kanë inspektime të herëpashershme nga ana e inspektorëve. Këto inspektime ndikojnë pozitivisht në performancën e institucionit, ngase gjatë inspektimit në raste specifike, por edhe inspektimet e përgjithshme, bëhen raporte dhe më pas jepen rekomandime të nevojshme për institucionet. Ato ndikojnë në përmirësimin e gjendjes. Ka pasur kohët e fundit inspektime shëndetësore sipas rasteve, por qoftë edhe për ndonjë ankesë eventuale edhe të palëve për shërbime të caktuara”, thotë Fazliu.

Ndërkaq, Ardita Baraku shton se gjatë inspektimeve, inspektorët kanë hasur në 93 institucione private shëndetësore që kanë operuar pa licencë, derisa të njëjtat janë mbyllur.

Në Ministrinë e Shëndetësisë procesi i licencimit për institucionet private shëndetësore ka filluar në vitin 2006./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat