Pastrohet Istogu

Kosova

Pastrohet Istogu

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 19:19
Pastrohet Istogu

Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot është organizuar aksion pastrimi në Komunën e Istogut, të cilit iu bashkuan dhjetëra vullnetarë, zyrtarë komunalë e nxënës, për pastrimin e tri lokacioneve.

Aksioni i parë filloi në fshatin Syne të Komunës së Istogut nga ora 10:00, nga ku u larguan dhjetëra kamionë me mbetje nga një deponi ilegale e mbeturinave e cila gjendej në hyrje të bjeshkëve të Istogut, njofton kumtesa.

Aksioni vazhdoi nga ora 12:00 te Parku në Bashkësinë Lokale Gurakoc, nga ku u larguan mbi 60 thasë me mbeturina nga vullnetarët dhe nxënësit e Shkollës “Bajram Curri”.

Më pas, vullnetarët vazhduan për te lokacioni i tretë, te xhimnazi “Haxhi Zeka”. Aty, vullnetarët dhe nxënësit pastruan hapësirat përreth shkollës dhe larguan dhjetëra thasë me mbeturina.

Siç thuhet në njoftim, Drejtori Ekzekutiv i “Let’s Do It”, Luan Hasanaj, ka thënë se sot në Istog kanë marrë zotimin e Komunës për mirëmbajten e deponive që po pastrohen dhe gjobitjen e të gjithë atyre që hudhin mbeturina.

“Jemi në hyrje të bjeshkëve të Istogut, bukuri me të cilat krenohemi ne, por për fat të keq jo e trajtuar mirë nga një komunitet i papërgjegjshëm, të cilët kanë hedhur mbeturina dhe e kanë ndotur këtë hapësirë këtu. Sot bashkë me Komunën, kompaninë publike “Ambienti” dhe kompanitë private që janë angazhuar vullnetarisht, po e nisim pastrimin e kësaj hapësire, andaj kemi marrë edhe zotimin e Komunës që do të vazhdon të ruhet dhe do të gjobiten ata që vinë të hudhin mbeturina. Zotimi im dhe i Organizatës është që ne do të vazhdojmë punën deri në pastrimin e deponive ilegale jo vetëm në Istog, por në tërë Kosovën”, ka thënë Hasanaj.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Enver Rugova ka thënë se si Komunë janë të angazhuar në pastrimin e deponive ilegale të mbeturinave.

“I falenderojmë të gjithë vullnetarët për angazhimin. Task forca komunale për mjedisin është e angazhuar në vazhdimësi për pastrimin e deponive ilegale që në Istog nuk janë pak, mirëpo kemi angazhuar edhe kompani. Po angazhohen edhe disa Kompani vullnetarisht, andaj kemi arritur t’i eliminojmë disa deponi të mëdha nga vendbanimet. Sot e kemi përzgjedh këtë vend sepse kemi investuar mjaft në këto bjeshkë, por shpeshherë ky vend ka qenë i zënë nga mbeturina interte. I falendëroj edhe kompanitë private “Te Aleni” dhe “Albens” të cilat iu bashkuan aksionit”, ka thënë Rugova.

Po ashtu “Let’s Do It Kosova”  njofton se nga Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” nga 15 shtatori e deri më tani janë pastruar mbi 400 deponi ilegale të mbeturinave.

Përveç aksioneve të pastrimit, Fushata po vazhdon edhe me mbajtjen e trajnimeve me mësimdhënës në shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, me qëllim të ngritjes së vetëdijës ne fushën e edukimit mjedisor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat