Asistentët të domosdoshëm për fëmijët me aftësi të kufizuar

Kosova

Asistentët të domosdoshëm për fëmijët me aftësi të kufizuar

Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 14:21
Komisioni për të Drejtat e Njeriut

Mungesa e asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuar që vijojnë mësimet, po vlerësohet se është një mangësi e madhe dhe po ka ndikim që fëmijët të mos arrijnë të përvetësojnë mësimet.

Kështu është thënë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ku është diskutuar për Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar 2013-2023, për të cilën është thënë se përveç disa arritjeve ka ende shumë punë për t’u bërë.

Për të diskutuar për këtë strategji ishin paraparë të raportojnë ministri i Punës Skënder Reqica, ai i Arsimit  Shyqiri Bytyqi, ministri i Shëndetësisë Uran Ismajli dhe ministri i Kulturës Kujtim Gashi. Por përveç ministrit Bytyqi të tjerët nuk kanë marrë pjesë.

Kreu i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka thënë se si ministri i kanë adresuar të gjitha çështjet që dalin nga strategjia, ku ai tha se kanë bërë shumë sa i përket aspektit legjislativ.

Ai ka bërë të ditur se në vitin 2017 janë diplomuar 54 asistentë, të cilët i asistojnë fëmijët me aftësi të kufizuara. Ndërsa, ka thënë se për vitin 2019 do të punësohen edhe 100 të tjerë.

Bytyqi: Në vitin 2019 do të punësohen 100 asistentë të ri

“Për herë të parë MASHT ka bërë një angazhim të jashtëzakonshëm dhe në grantin specifik për vitin 2019 për herë të parë ka futur që të kemi edhe 100 asistentë të ri për fëmijët me aftësi të veçanta. Ky është një angazhim i yni i cili ka dhënë rezultat dhe tani më këta 100 asistentë të cilët do të jenë të punësuar në vitin 2019 iu kanë shpërndarë komunave sipas nevojave, si dhe sipas numrit të fëmijëve që ekzistojnë nëpër komuna. Konsideroj se është bërë një hap pozitiv dhe është një hap që vlen të theksohet. Po ashtu, janë të punësuar edhe 9 mësues mbështetës në komunat ku ka pasur nevojë dhe me këtë punësim ka arritur numri 85 mësimdhënës mbështetës në tërë nivelin e Kosovës. Janë punësuar edhe 2 instruktor të gjuhës së shenjave, pra njëri ka qenë duke punuar në Prizren dhe tjetri sapo është punësuar. Në vitin 2019 pritet punësimi i një asistenti i gjuhës së shenjave”, tha ai.

Bytyqi bëri të ditur se janë themeluar dhe janë funksionalizuar ekipet vlerësuese në 24 komuna, ku ai tha se në këtë periudhë janë bërë disa trajnime për funksionin më të mirë të tyre.

Po ashtu, kreu i arsimit ka folur edhe për integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, ku ka thënë se nga 76 klasë që kanë qenë të veçanta, tashmë janë vetëm 18. Sipas tij, tash do të shikohet se a do të ketë integrim për fëmijët që vijojnë këto klasa të veçanta, apo do të vazhdojnë shkollimin në qendrat burimore.

Numri prej 100 asistentëve që do të punësohen, po konsiderohet i pamjaftueshëm për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara që janë në Kosovë.

Sebahate Beqiri nga Shoqata Down Sindrome, ka thënë se është shqetësues numri i madh i asistentëve në shkolla publike që paguhen nga vetë prindërit. Ajo me këtë rast ka ngritur shqetësimin edhe për shumën që marrin familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.

Beqiri: Marrim 100 euro, asistentët na kushtojnë 150-200 euro

“Grupet e fëmijëve, në këtë rast me sindromën Down, fëmijët me autizëm, fëmijët e shurdhër, përveç një mbështetje materiale financiare që marrin nga 100 euro në muaj dhe që asistentët na kushtojnë 150 deri në 200 euro në muaj, në shkolla publike. Do të thotë komuniteti ynë jemi bërë punëdhënës, nëse dikush ndjehet komod që grupet e fëmijëve me aftësi të kufizuara po marrin 100 euro në bazë të ligjit që mbështet familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, kjo nuk është aspak e drejtë. Pasi familjet nga dëshira e madhe që kanë që fëmijët të jenë pjesë e shkollave të rregullta paguajnë asistente private, po e potencoj që këtë e ndalon ligji për arsimin para universitar”, tha ajo.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së të Shurdhërve të Kosovës, Enver Kurtalani, ka bërë të ditur se nga numri i përgjithshëm i fëmijëve të shurdhër që përfundojnë shkollimin fillor apo të mesëm nuk dinë shkrim dhe lexim, ku ai tha se janë analfabet funksional nga ky sistem i arsimit.

Kurtalani: Mos arsimimi i fëmijëve të shurdhër mëkat

“Është shumë mëkat se në shekullin 21 flasim për një numër kaq të madh të cilët nuk dinë shkrim dhe lexim, kurse bota sot janë shumë përpara dhe ne fëmijët tanë e kanë të pamundur të jenë pjesë e shoqërisë, e kanë të pamundur të konkurrojnë në tregun e lirë të punës, e kanë të pamundur të jenë të pavarur. Siç e thash ka efektin domino deri te vetë izolimi”, tha ai.

Ndërsa, Bujar Kadriu nga Organizata Forumi kosovar i aftësisë së kufizuar, ka kërkuar që sa më shpejt të miratohet ligji gjithëpërfshirës, pasi sipas tij situata është urgjente.

Kadriu: Ligji gjithëpërfshirës i domosdoshëm

“Në kuadër të Planit të veprimit dhe në kuadër të Strategjisë, sidomos te fusha legjislative, të hartimit të politikave legjislative të reja të hyn fuqishëm rekomandimi për planin, apo për koncept dokumentin të ligjit gjithëpërfshirës, i cili urgjentisht duhet të aprovohet në Kuvend. Unë më nuk jam i gatshëm t’i parandalojë kolegët e mi nga organizatat e personave me aftësi të kufizuara që thjesht jemi aktualisht të pambrojtur, qoftë indirekt apo direkt. Mendoj që kjo duhet të ndodh sa më shpejt që është e mundur se është urgjent... Ne mendojë që ky plan ka regres në zbatim, për këtë kemi fakte dhe argumente”, tha ai.

Nga Iniciativa e pavarur e të verbërve të Kosovës, Jasmin Maksuti, ka thënë se shoqëria për personat me aftësi të kufizuar duhet të bëjë çmos që të integrohen në arsimin normal.

Maksuti: Ka mungesë të literaturës në universitet

“Për arsim kisha theksuar çështjen e literaturës, konkretisht për personat e verbër e cila ka goxha ngecje, zakonisht tek arsimi universitar. Sa i përket arsimit fillor dhe të mesëm kemi disa mundësi që janë duke u zhvilluar, disa libra që po shtypen, po për literaturë tek arsimimi universitar kemi ngecje mjaft. Këtu natyrisht që ka mundësi universitetet me na përkrah, duke qenë se unë jam njëri që kam përfunduar studimet me kushte vërtet të vështira dhe na është dashur që ta përdorim teknologjinë dhe fal teknologjisë të mësojmë edhe literaturën që e kemi”, tha ai.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina- Bunjaku, ka paraqitur disa të dhëna se çka kanë bërë si ministri për personat me aftësi të kufizuara. Ajo ka thënë se në kuadër të ditës së personave me aftësi të kufizuara kanë punësuar tre perona për tri ditë.

Për këtë deklaratë të saj ka reaguar Rukije Gashi, nga Shoqata e të Shurdhërve të Kosovës, e cila këtë veprim e ka quajtur të turpshëm.

Gashi: Mua marre më kish ardhur

“Më vjen shumë keq dhe shumë rënd, kur po ju dëgjoj jo vetëm juve po edhe komunat, i kemi punësuar personat me aftësi të kufizuar për tri ditë. Mua marre më kish ardhur. Ne që tri vite e bojkotojmë këtë promovim të ministrive ose të punësimit, çka janë tri ditë, çka janë një javë. Atë njeri veç e mashtroni dhe shumë raste ka komuna i thërret me punua, iu thotë mos ejani në orar të punës hiç ti japim paratë. Kjo është maltretim, ju kisha lut kurrë më, na si komunitet e kemi bojkotuar”, tha ajo.

Megjithatë, zëvendësministrja ka pasur një përgjigje sa i përket punësimit të atyre tre personave.

Bunjaku: Nuk do të përfundoj vetëm me këtë simbolikë

“Unë mendoj që nuk është e mjaftueshme, mirëpo me kërkesën e Zyrës së Qeverisjes së mirë lidhur me shënimin e Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar, kjo ka qenë vetëm një simbolikë. Por, nuk do të thotë se me këtë do ta përfundojmë, në të ardhmen besoj se numri i të punësuarve do të shtohet dhe do të jetë në të mirë të të gjithë komuniteteve. Kuota në MKRS është krejtësisht e plotësuar”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat