Ministri Shala: Prona intelektuale për bizneset ka rëndësi të veçantë

Kosova

Ministri Shala: Prona intelektuale për bizneset ka rëndësi të veçantë

Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 16:34
Sot në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë filloi punimet seminari njëjavor për finalizimin e specifikacionit të Djathit të Sharrit

Sot në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë filloi punimet seminari njëjavor për finalizimin e specifikacionit të Djathit të Sharrit, si produkt potencial për t’u mbrojtur si tregues gjeografikë në Kosovë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, fillimisht theksoi përkrahjen e tij të vazhdueshme karshi forcimit të sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë dhe të indikatorëve që ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

“Forcimi i këtij sistemi është prioritet i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe do të vazhdojë si i tillë deri në përmbushjen e plotë të obligimeve, që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me BE-në”, pohoi ministri Shala.

Po ashtu, ai potencoi se pronësia intelektuale ka një rëndësi të veçantë ekonomike për biznesin dhe vlerësohet se 70-80 për qind e aseteve të një kompanie në vendet me ekonomi të bazuar në dije, që përbëhet nga pasuria jo-fizike ose kapitali intelektuale.

“Ne jemi të jemi të fokusuar në ngritjen e sistemit të pronës intelektuale, miratimin e gjithë infrastrukturës ligjore të nevojshme dhe në ngritjen dhe fuqizimin e mëtejmë të infrastrukturës institucionale duke rritur kapacitetet e tyre fizike dhe buxhetore për të ndaluar luftimin e dukurive negative, si përdorimi i paautorizuar i markës tregtare; prodhimi, eksportimi dhe shitja e patentave pa licencë; falsifikimi i produkteve; si dhe dukuri të ngjashme, që janë preokupim dhe problem  i shumë vendeve të botës dhe se për këtë do të luftohen dukuritë negative edhe në Kosovë”, tha ministri Shala.

Ai shtoi se prona intelektuale për bizneset dhe për shoqërinë në përgjithësi ka një rëndësi të veçantë.

“Qeveria e Kosovës ka për synim ngritjen e sistemit të pronës intelektuale, e sidomos për pronën industriale e cila është përgjegjësi e MTI-së, ku ne si qeveri në këtë mandat qeverisës prioritet kemi zhvillimin ekonomik,  ngritjen e prodhimit dhe produktit vendor, ku bëjnë pjesë edhe prodhimi i produkteve të cilat vijnë nga rajone te veçanta të Kosovës, të cilat përmbajnë në vetvete tregues gjeografikë apo emërtime të origjinës siç mund të jetë edhe Djathi i Sharrit, verërat etj.” ka bërë të ditur ministri Shala.

Sipas tij, mbrojtja e produkteve me tregues gjeografikë dhe emërtime të origjinës do t’i bëjë me konkurrentë produktet tona dhe do të krijohet ambient më i favorshëm afarist, që do ta rrisë konkurrencën në prodhim, përpunim dhe tregti, duke përmirësuar cilësinë e jetës në zonat rurale dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Ndërsa, organizatori i këtij seminari, Nezir Gashi, drejtor i përgjithshëm në Agjencisë për Pronësi Industriale (API) falënderoi përkrahësit institucionalë të qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme financiare përmes projekteve të ndryshme në drejtim të mbrojtjes së Djathit të Sharrit me Tregues Gjeografikë.

Seminari është mbështetur nga programi TAIEX, Ambasada Franceze dhe Instituti për Pronësi Intelektuale. Gjatë javës, sa do t’i zhvillojë punimet  ky seminar, do të ketë prezantime nga përfaqësues të institucioneve përgjegjëse në Prishtinë, ndërsa në Prizren do të ketë takime me fermerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat