Kosova ka kapacitete për hulumtim dhe kërkime shkencore

Kosova

Kosova ka kapacitete për hulumtim dhe kërkime shkencore

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 12:26
Foto

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në hapjen e sesionit informues për mënyrën dhe mundësitë e aplikimit me projekte shkencore në programin “Horizon 2020”, i cili është organizuar nga Komisioni Evropian.

Me këtë rast, ministri Bytyqi ka thënë se, shpreson që ky sesion informues për programin më të madh hulumtues në Evropë, t’iu shërbejë hulumtuesve tanë për të mësuar se si mund të përfitojnë dhe të bëhen pjesë e këtij programi.

Ai theksoi se MAShT, përkundër vështirësive që kanë ekzistuar, ka ndërmarrë hapa konkret lidhur me avancimin dhe zhvillimin e hulumtimit dhe kërkimit në Kosovë.

Sipas tij, MAShT ka krijuar disa mekanizma institucionalë në përkrahje të hulumtimit dhe shkencës dhe përmendi faktin se ministria financon disa projekte të vogla lidhur me hulumtimet.

“Jam i vetëdijshëm që ky është një hap shumë i vogël, por duhet të na shërbejë si një hap, i cili pastaj të krijojë një mundësi të bashkëpunimit mes përfituesve të këtyre projekteve që ta krijojmë idenë se si t’u qasemi programeve të mëdha siç është ‘Horizon 2020”.

Ndër të tjera, ministri Bytyqi përmendi edhe miratimin e Rregullores për Pikat Kombëtare të Kontaktit dhe theksoi se tashmë janë emëruar personat në këto pika, ndërsa përmendi edhe anëtarësimin në COST si anëtarë fqinj të parë.

Ai shprehu besimin e tij se Kosova ka kapacitete për hulumtim dhe kërkim shkencor, por tha se duhet t’i bashkojmë forcat kur flasim për projekte të mëdha dhe në këtë mënyrë të bëhemi pjesë e “Horizon 2020”, por edhe e programeve tjera.

Ministri Bytyqi konfirmoi se tashmë është bërë kërkesa zyrtare nga ana e MAShT për anëtarësim të plotë në “Horizon 2020”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat