Loja me fotografitë e të vrarëve të Mejës, familjarët ankohen edhe në Polici

Kosova

Loja me fotografitë e të vrarëve të Mejës, familjarët ankohen edhe në Polici

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 11:29
Varrezat në Mejë

(E plotësuar) - Kanë kaluar 19 vjet nga lufta, e kur për një numër të madh të personave, nuk dihet për fatin e tyre, familjarë të pagjeturve janë duke përjetuar dhimbje të shumëfishtë.

Qe shumë kohë kanë filluar edhe  punimet ne kompleksin Memorial në Mejë, mirëpo të njëjtat ende nuk kanë përfunduar.

Përfaqësues  të Shoqatës së  Familjarëve të Personave të Zhdukur "27 Prilli 1999-Meje", po thonë se përveç dhimbjes që kanë për familjarët e tyre, tashmë lojë e madhe po bëhet edhe me punimet.

Këto ankesa ata i kanë shprehur para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Sipas Haki Sadriut nga kjo shoqatë,  për shkak të mosmarrëveshjeve që kompanitë kanë mes vete po bëhet lojë e madhe  me fotografitë e martirëve.

Sadriu: Po luhet me fotografitë e personave të pagjetur

“Luhet me fotografi të personave të pagjetur, nuk e di çka ka diçka tjetër mu kontestu, kur luhet me të drejtën elementare të familjarit për fotografinë  e tyre. Ne pas takimit që kemi pasur këtu kemi pasur edhe një takim me komunën, kanë vizituar edhe vet gjendjen e varrezave, kemi pasur edhe me drejtorin takime, por kemi pasur edhe takime me punëkryesin që kemi qenë dy herë dhe nuk na kanë leju me i marr fotografitë tona. Pas dy takimeve që kemi pas, takimin e tretë sot një javë, kemi qenë në policinë në Pejë, dhe kemi ngrit çështjen tash përmes Prokurorisë”, tha Sadriu.

Për këtë, ai bën fajtor institucionet shtetërore, të cilët sipas tij tash e 19 vjet kanë neglizhuar këtë çështje.  Ai ka fajësuar edhe punëkryesin, ku ka  treguar se të gjitha fotografitë ia ka dhënë inxhinierit, por ky i fundit nuk po pranon një gjë të tillë.

Ndërsa, Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj ka thënë se kompania që ka pasur për obligim që t’i vendosë   kapakët dhe mbishkrimet nuk është serioze, duke treguar se fotografitë e bëra  janë të një cilësie shumë të dobët.

Zogaj: Fotografitë që ka bërë kompania, është vrasje për së dyti për familjarët

“Kur kam shku herën e dytë me këta edhe i kemi pa fotografitë dhe ma kanë tregu këta një fotografi që e kanë bërë privat, që është kjo, edhe fotografia tjetër që e kanë bo ata, kjo mu më ka tmerru dhe mu ka dok që është vrasje për së dyti, ky dallim që ka bërë tash  me këtë tjetrën që e kanë bërë privat familja, është një dallim diametralisht i kundërt”, tha Zogaj.

Zogaj ka shtuar se ka kërkuar nga kompania që të largojë ato fotografi nga vendi.

Pasi kontraktuesi ka vendosur që të mos ua jap familjarëve fotografitë, ai thotë se rastin e kanë paraqitur edhe në Prokurori dhe Policinë e Pejës.

 Anëtarja e komisionit Teuta Haxhiu tha se sa më parë çështja e fotografive duhet të zgjidhet, sepse sipas saj kushtëzimi i tyre, është më shumë se shkelje.

Haxhiu: Këto kushtëzime janë më shumë se shkelje

“Nëse flasim për diçka që nuk u kryen punimet për sa vite, të kushtëzohet kontraktori me nënkontraktorin, që neve më së pakti na intereson, besoj që nuk i ka interesu as shoqatës, i ka interesu me u kry, ose familjarëve është me rëndësi me u kry punimet. Kur flasim për komplekset në përgjithësi, nëse për këto kemi probleme, atëherë  nuk e dijmë se për ku jemi ka shkojmë”, tha deputetja Haxhiu.

Selim Zymeri i “Shoqatës 27 prilli 1999-  Mejë”, tha se për faj të pushtetit, po ndihen kokulur para familjarëve.

Sipas Drejtorit të Agjencisë për Komplekset Memoriale, projekti do të finalizohet me 1 milion e 60 mijë euro. Ky buxhet sipas është  i përcaktuar deri në vitin 2021.

***

Anëtarë të Shoqatës 27 prilli 1999-Mejë, kanë thënë sot se po luhet një lojë e madhe me fotografitë e të zhdukurve, duke shtuar se ata janë duke i vrarë për së dyti.

Haki Sadriu, përfaqësues i shoqatës tha se janë takuar edhe me zyrtarë komunalë të Gjakovës edhe me punëkryesin e kompleksit në Mejë por nuk janë lejuar që t’i marrin fotografitë e familjarëve të tyre.

Ai tha se për këtë e kanë lajmëruar edhe Policinë por fotografitë e më të dashurve të tyre nuk u janë kthyer.

Këto ankesa përfaqësuesit e kësaj shoqate i kanë paraqitur para anëtarëve të Komisionit për të drejtat e njeriut ku kanë pasur që të raportojnë edhe përfaqësues të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, dhe  Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, ka thënë se problemin e kanë me punëkryesin.  Zogaj tha se ende nuk kanë arritur të sigurohen fotografitë, duke shpresuar që brenda dy jave do të arrihet të mbyllet kjo temë.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu tha se sa më parë çështja e fotografive duhet të zgjidhet, sepse sipas saj kushtëzimi i tyre, është më shumë se shkelje.

 "Është përgjegjësi e secilit që sa më parë ta përmbyllim këtë proces, të masakrës së Mejës", tha Haxhiu.

Anëtarja e komisionit, Luljeta Veselaj nga PDK ka apeluar institucionet që sa më parë të zgjidhet kjo çështje. "Apelojmë që sa më parë të zgjidhet kjo çështja ,nuk guxojmë të luajmë me ndjenja të familjarëve që nuk dinë ende për familjarët e tyre", tha ajo.

Selim Zymeri i shoqatës 27 prilli Mejë, tha se janë kokulur para familjarëve, për shkak të pushtetit.

" Na jemi në hall, krejt këtë punë e bëjmë me pare të tona. Nuk kemi faj që kompanitë nuk po merren vesh mes veti", tha ai.

 Sipas Bislim Zogajt, projekti për Kompleksin Memorial në Mejë do të kushtojë 1 milionë e 600 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat