Zjarrfikësit të vendosur për protestën e nesërme

Kosova

Zjarrfikësit të vendosur për protestën e nesërme

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 12:30
Zjarrfikësit

Zotimet e kryeministrit, Ramush Haradinaj se zjarrfikësit së shpejti do shndërrohen forcë në vete, nuk i kanë bindur zjarrfikësit që të zmbrapsën nga protesta e paralajmëruar për ditën e enjte (nesër).

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka ka konfirmuar mbajtjen e protestës për nesër duke filluar nga ora 11:00 para Qeverisë së Kosovës.

Si kërkesa kyçe drejt institucioneve shtetërore të këtij shërbimi emergjent janë nivelizimi i koeficienteve në nivel komunash, nivelizimi  i rrezikshmërisë së punës me Policinë e Kosovës, të kompensohen ndërrimet e natës, festat shtetërore, fetare dhe orët jashtë orarit, të përmirësohen kushtet e punës, të sigurohen pajisje dhe mjete për punë.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, u shpreh se deklaratwn e kryeministrit e kanë dëgjuar me vëmendje, por mbesin prapa vendimit për protestë, pasi që kërkesat e tyre  kyçe po vazhdojnë të neglizhohen në vazhdimësi.

Beka: Protesta do mbahet, nuk shohim progres për realizim të kërkesave tona

“Po, sepse ne absolutisht nuk po shohim diçka progresive në këtë drejtim, absolutisht ne e pamë deklaratën e kryeministrit dje thotë do ketë investime milionëshe, nuk e di në cilin buxhet janë adresuar këto mjete,ku janë. Buxheti për zjarrfikës ka mbetur pezull, komunat nuk kanë planifikuar se thotë jeni staf i ministrisë, edhe Ministria e Punëve të Brendshme në pasqyra buxhetore që unë i kam parë asnjë cent nuk është paraparë për zjarrfikësit..Prej 2008  janë të artikuluara këto kërkesa dhe asnjë hap para le të na e shpjegojnë se si për 10 vite asnjë përmirësim, hap para nuk vërehet, kjo është e papranueshme”, tha  Beka.

Ndonëse nga Ministria e Financave, ka marr premtimin se koeficienti i pagës për zjarrfikësve do të ngritët në 6,  kryesindikalisti nuk është i kënaqur pasi thotë se me hyrje në fuqi të Ligjit të Pagave ata kthehen përsëri në gjendjen e njëjtë.

 Beka tutje u shpreh se si shërbyes jetik për interesin e qytetarëve ndihen të anashkaluar nga institucionet e vendit.

Beka: Jemi të anashkaluar, asnjë hap pozitiv nuk ka ndodhur

“Të anashkaluar, të injoruar, të denigruar në të gjitha aspektet, asnjë hap pozitiv nuk ka ndodhur, përveç koeficientit dhe atë e llogarisim se është obligim, kjo është vetëm një ndërprerje e shkeljes së vazhdueshme që na u ka bërë qe sa vite..një pjesë e vogël përfitojnë pjesa dërrmuese  e kanë pasur koeficientin 5.5 dhe atyre u bëhet 6 në vlerë. Por kjo është vetëm derisa të hyjë ligji i pagave në fuqi, tash a do hyjë nga janari apo jo...por në momentin që hynë ligji i pagave në fuqi ne prapë diskriminohemi se koeficienti më i ulët, prapë është i paraparë për zjarrfikësit edhe kjo është një shqetësim”, ka shtuar ai.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Zjarrfikësve  është koha e fundit që institucionet përkatëse të reflektojnë për përmirësimin e gjendjes së këtyre shërbyesve.

Beka ka deklaruar se do intervenojnë vetëm në rastet kur është në pyetje jeta e njeriut,e jo në rastet tjera sado që janë emergjente, pasi që zjarrfikësit kanë mungesë infrastrukturore, dhe kështu mund të rrezikohet edhe jeta e tyre.

Beka: Zjarrfikësit nuk do tolerojnë këtë gjendje të tyre

“Ne kemi pasur qëndrimit që jo t’i bojkotojmë, por vetëm në rastet kur është shpëtimi i jetës së njeriut të intervenohet, në rastet tjera jo sepse më e vlefshme është jeta e një zjarrfikësi se një e mirë materiale e kujt do që të jetë. Zjarrfikësit janë pa pajisje personale mbrojtëse, me kushte shumë të rënda të gjithë e dinë dhe është e drejtë e punëmarrësit të refuzoj urdhrin e punëdhënësit nëse e rrezikon shëndetin  apo jetën gjatë aktiviteteve të punës...16’45 Në vazhdimësi derisa të arrihet një marrëveshje, zjarrfikësit më nuk do e tolerojnë këtë gjendje, ku është diskriminimin total”, ka deklaruar tutje kryesindikalisti.

E kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ditë më parë në një intervistë dhënë ka deklaruar se zjarrfikësit do të bëhen forcë në vete, duke u avancuar në kompetenca,dhe se 600 mijë euro do të ndahen vetëm për pajisje të zjarrfikësve nga buxhetit i vitit që po vjen.

Ndryshe, zjarrfikësit me qëllim që kërkesat e tyre të plotësohen patën protestuar edhe më 12 korrik të këtij viti, dhe se me vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj ishte themeluar një komision qeveritar që do merrej me përmirësimin e gjendjes së këtyre punëtorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat