Policia me të gjitha kapacitetet e saj, në interes të sigurisë në shkolla

Kosova

Policia me të gjitha kapacitetet e saj, në interes të sigurisë në shkolla

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 13:16
Ilustrim

Dukuritë negative dhe numri i incidenteve në shkolla është në rënie falë angazhimit të vazhdueshëm operativo-taktik të policisë në këtë fushë.

Kështu u tha gjatë takimit mes përfaqësuesve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë dhe autoriteteve të arsimit të tre komunave, Mitrovicë, Vushtrri e Skenderaj, përfshirë edhe këshillat e prindërve dhe nxënësve, si dhe zyrtarëve të qendrave për punë sociale.

Stafi menaxhues i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, konfirmoi edhe njëherë mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të policisë me të gjitha kapacitetet e saj, në interes të sigurisë në shkolla dhe sigurisë së përgjithshme.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur se takimet e tilla kanë për qëllim parandalimin e hershëm të dukurive negative në shkolla, me fokus substancat narkotike. Sipas tij, përfaqësuesit e arsimit vlerësuan angazhimet policore në fushën e ofrimit të sigurisë, si dhe veprimeve parandaluese në këtë fushë.

“Objektiv i policisë mbetet avancimi i kapaciteteve ekzistuese, ndërsa u kërkua vazhdimi i qasjes së përbashkët në mes të autoriteteve të arsimit, këshillave të prindërve, nxënësve, këshillit për parandalimin e braktisjes së mësimit, OJQ-ve dhe shoqërisë në përgjithësi, për një bashkëveprim në interes të sigurisë, ku në kuadër të gjithë kësaj të rritet llogaridhënia e ndërsjellë”, ka thënë Zahiti.

Ai shtoi se në takim u identifikuan disa nga hapat e veprimit konkret në fushën e parandalimit të hershëm, duke identifikuar dhe ndaluar braktisjen e mësimit, krijimin e grupeve të përbashkëta për të vazhduar me ligjërata me tema vetëdijësuese sipas nevojave dhe çështjeve që identifikohen në shkolla, ku u kërkua që përveç policisë, të ketë kontroll më të shtuar nga ana e inspektorëve komunalë në lokalet në zonat afër shkollave. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat