Bahtiri: Nuk do të lejoj që fshati Vllahi të jetë nën administrimin e shtetit serb

Kosova

Bahtiri: Nuk do të lejoj që fshati Vllahi të jetë nën administrimin e shtetit serb

Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 18:01
Në shkollën fillore “Jashar Begu” në fshatin Vllahi, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari Faruk Mujka

Në shkollën fillore “Jashar Begu” në fshatin Vllahi, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari Faruk Mujka kanë mbajtur tubimin e paralajmëruar me banorët e këtij fshati.

Në këtë takim i pranishëm ishte edhe shefi i grupit parlamentari i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi dhe një pjesëmarrje masive e banorëve të fshatit Vllahi, Zijaç, Melenicë dhe Dedisë.

Qëllimi i këtij takimi ishte që së bashku me përfaqësuesit e institucioneve lokale, banorët e këtyre fshatrave të shprehin shqetësimet e tyre lidhur me deklarimet e fundit të disa politikanëve por edhe me publikimin e një harte ku sipas ndarjes së re pas “Marrëveshjes Finale me Serbinë”, fshati Vllahi do të mbetej nën administrimin e komunave veriore, respektivisht të Serbisë.

Fillimisht fjalën e mori kryetari i këshillit të fshatit Vllahi, Ramadan Ademi, i cili një falënderim të posaçëm pati për praninë e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, dhe për interesimin e madh të banorëve të kësaj ane për të diskutuar lidhur me brengat më të cilat ata që një kohë janë duke u përballur,

“Brengosja e banorëve të fshatit Vllahi ka të bëjë me temën e shkëmbimit të territoreve, dhe prania e disa personave të panjohur të cilët po shfaqen në territorin tonë me qëllime të panjohura duke sjellë pasiguri tek banorët e fshatit Vllahi do mbetej nën administrim të shtetit të Serbisë. Ky rajon ka pasuri të mëdha nëntokësore të cilat na i ka dhuruar Zoti, dhe ne nuk do të lejojmë askënd që ti prekë e lë më ti marrë ato, sepse Vllahia nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Zveqanit por gjithmonë ka qenë dhe do të jetë pjesë e Mitrovicës”, ka thënë përfaqësuesi i këshillit të fshatit,  Ademi.

Banorët e tjerë të fshatit kanë shprehur shqetësimet e tyre duke theksuar se se si ditët e fundit po ka vizita nga persona të panjohur të cilët po prezantohen si shtetas të huaj por që po flasin gjuhën serbe. Dyshimi kryesor thonë ata se qëndron në interesimin e Serbisë për nëntokën e Vllahisë dhe të Zijaçës në të cilat deri tani janë bërë 37 shpime hulumtuese dhe kanë rezultuar me rezerva të mëdha të mineraleve të çmueshme në tregun botërorë.

Po ashtu Zenel Hajdari, banor i fshatit Zijaç e përmendi edhe faktin që para dy muajsh në fshatin Vllahi janë gjetur disa shenja të panjohura për të cilat pastaj Agjensioni Kadastral konfirmoi se janë bërë nga ta.

Kjo edhe më shumë i bën dyshues banorët e Vllahisë për një skenar të padëshirueshëm për fshatin e tyre.

Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, theksoi para të pranishmëve se arsyeja e këtij tubimi ka lindur pikërisht me kërkesën tuaj ndërsa ne iu kemi përgjigjur asaj kërkese si institucioni më i afërt për ju për të parë shqetësimet tuaj, dhe në këtë mënyrë ne do ti delegojmë ato deri në nivelin qendror.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, pasi dëgjoi të gjitha mendimet e banorëve nga katër fshatërat, ai në fjalën e tij tha se është kënaqësi e veçantë që është në mesin e shaljanëve, për të cilët gëzon respekt të madh ndaj tyre për fjalën dhe besën që kanë.

Kryetari Bahtiri tha se qëndrimi im sa i përket temës së shkëmbimit të territoreve është shumë i qartë, dhe që nga fillimi unë si kryetar e kam ngritur zërin dhe do të jem zëri i qytetarit deri në fund.

“Nuk ka të drejtë askush, madje as presidenti të ngrit çështjen e shkëmbimit të territoreve sepse për këtë vend është derdhur shumë gjak. Iniciativa e presidentit është e gabueshme, dhe këtë gjë ia kam thënë disa herë sepse çështja e Kosovës është shumë specifike dhe si e tillë është trajtuar edhe ndërkombëtarisht. Ne e gëzojmë një shtet të pavarur dhe sovran të cilin nuk na ka falur askush por atë e kemi fituar duke luftuar për treqind vite me radhë. Po ju garantoj se deri sa unë të jem kryetar i komunës së Mitrovicës, nuk do të lejojë asnjëherë që fshati Vllahi e as fshatrat tjera që pretendon ti marrë Serbia të jenë nën administrimin e saj, por përveç kësaj do ta liroj edhe Urën e Ibrit pa asnjë kusht të vetëm”, tha ndër të tjerash kryetari i komunës, Agim Bahtiri.

Edhe shefi i grupit parlamentar i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, tha se në emër të degës së LDK-së do ta ngrisin zërin dhe do ta adresojnë këtë çështje deri tek instutucionet qendrore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat