Fëmijët kërkojnë përgjegjësi nga ministrat për të drejtat e tyre

Kosova

Fëmijët kërkojnë përgjegjësi nga ministrat për të drejtat e tyre

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 14:23
Ilustrim

Një vit më parë fëmijët e grupit “Respektoni të Drejtat Tona-ROR”, kanë miratuar një rezolutë për fëmijët në Kosovës, e sot po këta fëmijë kanë kërkuar përgjegjësi nga Qeveria e Kosovës lidhur me realizimin dhe zbatimin e asaj rezolute.

Çështja e arsimit, shëndetësisë, sigurisë, drejtësisë dhe punës e mirëqenies sociale ishin temat që u diskutuan, ku ministrat që drejtojnë këto dikastere janë zotuar se do të punojnë edhe më shumë në përmirësimin e kushteve për fëmijë.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e Fëmijëve, fëmijët kanë kërkuar që sa më shpejt të miratohet ligji për fëmijët, si dhe të përmirësohen kushtet në arsim, shëndetësi e në sigurinë e tyre.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se ministria që ai drejton është e përkushtuar në krijimin e kushteve sa më të mira për edukim, ndërkohë që ka kërkuar që të ketë më shumë bashkëpunim në këtë çështje.

Bytyqi: Të krijojmë kushte dhe ambient të barabartë për të gjithë fëmijët

“Ne si ministri hapin e parë e kemi bërë që të krijojmë një ambient dhe kushte të barabarta për edukimin për të gjithë fëmijët pa dallim. Konsideroj që gjatë krijimit të këtyre kushteve ka sfida të mëdha dhe ka vështirësi në realizimin e tyre. Është bërë një përpjekje për zhvillimin dhe edukimin e hershëm të fëmijëve, konsideroj se është një çështje shumë e rëndësishme. Në këtë aspekt janë ndërtuar dokumente dhe politika të qëndrueshme dhe janë në fazën e finalizimit disa dokumente të tjera, siç është kurrikula për moshën nga 0-5, pastaj kemi draft ligji për këtë moshë. Pavarësisht kësaj dhe kërkesave që përqindja e edukimit të ardhshëm të jetë edhe në pjesëmarrjen e institucioneve të edukimit ne duhet të pranojmë se kemi sfida së pari në infrastrukturë, e pastaj edhe me kushtet dhe rrethanat tjera që ekzistojnë në Kosovë”, tha ai.

Nga edukimi i obliguar, ai tha se kanë arritur të identifikojnë problemet, por që tha se ka shumë punë për të lëvizur përpara.

Kreu i arsimit tha se u duhet një buxhet më i madh, në mënyrë që të kenë një infrastrukturë të mjaftueshme për të gjithë Kosovën. Ai tha se e kanë kalkuluar këtë dhe u duhet mbi 300 milionë euro për të përmbyllur të gjitha problemet e infrastrukturës.

Sa i përket teksteve shkollore, Bytyqi tha se në vitin shkollor 2019-2020 do të jenë tekstet e reja.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, ka thënë se janë në fazën e përfundimit të një strategjie për nënat dhe fëmijët, e cila sipas tij ju mundëson që të kanalizojnë përpjekjet e tyre në dobi të shëndetit të nënës dhe fëmijës.

Kreu i shëndetësisë ka treguar se në Kosovë 95 për qind e fëmijëve janë të vaksinuar.

Ismajli: Kosova bën pjesë me 95 për qind fëmijë të vaksinuar

“Në parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, programi i imunizimit për fëmijë besoj se është një program që Kosova duhet të krenohet me të. Ne e dimë se ajo është një ndër intervenimet që ka një kosto të ulët, por që ka një efikasitet shumë të lartë. Kosova bën pjesë me 95 për qind fëmijë të vaksinuar në Kosovë, pra një përqindje shumë e lartë dhe na lejon neve mundësinë që edhe në ato vende ku nuk ka shërbime cilësore prapë se prapë të krijohet një mburojë dhe të parandalohen sëmundjet ngjitëse, paaftësi apo vdekje të fëmijëve”, u shpreh ai.

Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka treguar për politikat që kjo ministri ka sa i përket fëmijëve, ndërkohë që ka potencuar se miratimi i ligjit për fëmijë është i domosdoshëm.

Reçica: Me aprovimin e ligjit do të avancohen shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve

“Me qëllim të ngritjes dhe avancimit të shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve, Qeveria e Kosovës në qershor të këtij viti ka aprovuar ligjin për mbrojtjen e fëmijëve dhe ky ligj aktualisht është në procedurë. Me aprovimin e këtij ligji do të avancohen shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve dhe do të krijohen mundësi për avancimin e respektimit e Konventës së Kombeve të Bashkuara, mbi të drejtat e fëmijës dhe akteve të tjera ligjore në fushën e mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve”, tha ai.

Sa i përket mbështetjes së fëmijëve, ministri Reçica tha se ministria që drejton në formë financiare ofron mbështetje për kategoritë e caktuara dhe specifike për mbrojtjen e fëmijëve.

Ndërkaq, për fushën e drejtësisë ka folur ministri Abelard Tahiri, i cili ka thënë se së shpejti Kosova do të ketë një dokument të rëndësishëm për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve siç është Kodi për Drejtësi për të Mitur.

Sipas tij, ky dokument është shumë i rëndësishëm dhe avancon bazën juridike në Kosovë i cili mbron dhe promovon të drejtat e fëmijëve.

Ministri ka përmendur edhe atë se në Kodin Penal është trajtuar edhe dhuna në familje.    

Tahiri: Kemi Qendrën Edukuese korrektuese më të mirën në rajon

“Nuk  mundem sot pa e përmend edhe një kategori shumë të ndjeshme e cila po ashtu është nën përgjegjësinë e ministrisë të cilën unë e drejtoj, pra kemi të bëjmë me Qendrën Korrektuese për të mitur e cila është në Lipjan dhe fal edhe bashkëpunimit shumë të afërt edhe me Komisionin Evropian, dhe me zonjën Apostolova ne si ministri e Drejtësisë, si shtet i Kosovës, kemi arritur ta kemi Qendrën Edukuese korrektuese më të mirën në rajon. Pra, e cila përmbush të drejtat e atyre fëmijëve të cilët kanë rënë ndesh me ligjin, mirëpo nga aty duhet të dalin si fëmijë të përgatitur që të arrijnë që të ri-socializohen në shoqërinë e tyre, në familjet e tyre”, tha Tahiri

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka treguar për atë se çka bëjnë për familjet e riatdhesuara.

Mustafa: Fëmijët e riatdhesuar trajtohen me prioritet

“Familjet e riatdhesuara, fëmijët trajtohen me prioritet dhe kujdes të veçantë nga institucionet e përfshira në procesin e ri-integrimit, duke iu siguruar qasje të lehtësuar në shkollim, në shërbime sociale, shëndetësore dhe strehim janë të menjëhershme”, ka thënë ai.

Grupi ROR (Respect Our Rights) përbëhet nga 24 anëtarë të moshave 14-17 vjeç të komunave të ndryshme të Kosovës dhe bën monitorimin e zbatimit të Konventës Ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve në Kosovë dhe ligjeve vendore të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

ROR është themeluar nga organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” dhe “Save the Children” në kuadër të programit “Qeverisja me të drejtat e fëmijëve – Monitorimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat