Nikçi dënohet të dytën herë me 15 vjet burgim për vrasjen e vëllait

Kronikë e zezë

Nikçi dënohet të dytën herë me 15 vjet burgim për vrasjen e vëllait

Më: 5 maj 2022 Në ora: 20:02

Vrasja kishte ndodhur në prillin e vitit 2019, si pasojë e një kontesti pronësor midis dy vëllezërve. Krahas Nikçit, të enjten masa edukative në kohëzgjatje prej një 1 viti i është shqiptuar edhe të birit të tij, i cili ka qenë i përfshirë në rrahjen që i ka paraprirë vrasjes

Gjykata Themelore në Pejë i ka shqiptuar për të dytën herë të enjten dënimin me burgim minimal prej 15 vjetësh Asllan Nikçit, nga rrethina e Pejës, lidhur me veprën penale të “vrasjes së rëndë”, në të cilën viktimë është vëllai i tij.

Vrasja ka ndodhur në prillin e vitit 2019, si pasojë e një kontesti pronësor midis vëllezërve.

Krahas Nikçit, të enjten masa edukative në kohëzgjatje prej një 1 viti i është shqiptuar të birit të tij, i cili ka qenë i përfshirë në rrahjen që i ka paraprirë vrasjes.

Sami Sharraxhiu, kryetar i trupit gjykues, ka argumentuar fajësinë e të akuzuarit.

“Është fajtor për shkak se me datën 26.04.2019, rreth orës 18:00, në afërsi të Regës së Allagës në Komunën e Pejës, me dashje eventuale dhe me mjet të rrezikshëm, me bisht të sëpatës, e ka privuar nga jeta anëtarin e familjes”, ka thënë ai, Sharraxhiu, gjatë procesit gjyqësor.
Dënimin me 15 vjet heqje lirie, Gjykata në Pejë e kishte shqiptuar për Nikçin edhe në vitin 2020, mirëpo pas kësaj, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim, si pasojë e evidentimit të shkeljeve procedurale.

Vendimin e së enjtes, bashkëshortja e viktimës, e cila nuk ka dashur që të identifikohet, e ka klasifikuar si të turpshëm. Kundër tij, ajo ka paralajmëruar ankesë në mënyrë që i gjithë rasti të kthehet në pikën zero. Krahas kësaj, ajo ka bërë të ditur se do të kërkojë gjithashtu që rasti të trajnohet nga ndonjë gjykatë tjetër.

“Kjo Gjykata, edhe Policia e Pejës, e kanë sjellë deri këtu krimin. Për 18 vjet burri im e ka bërë denoncimin në Polici. Asnjëherë nuk është marrë ndokush me këtë. Edhe në ditën kritike, kur i ka lajmëruar burri se janë duke iu vjedhur (drunjtë), me personin, me Asllanin, me 7 vetë, absolutisht nuk e ka marrë askush parasysh. Ky është një krim i rrethuar”, ka thënë ajo.

Bashkëshortja e viktimës, e cila është vrarë me sëpatë, ka thënë se si pasojë e problemeve të vazhdueshme, ajo dhe fëmijët e saj janë detyruar që të largohen nga qyteti i Pejës.

“Ne edhe shtëpinë është dashur që t’ua lëshojmë kriminelëve. Është turp. Kur e ka mbytur ai vëllain e tij në mënyrën më mizore, sepse nuk ka qenë ky krim i atypëratyshëm, por ka qenë krim i përgatitur”, është shprehur ajo.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë bëhet e ditur se Metë Nikçi është privuar nga jeta, më 26 prill të vitit 2019, nga vëllai i tij, Asllan Nikçi. Aty thuhet se midis dy vëllezërve ka ndodhur paraprakisht një përplasje dhe se i akuzuari ia ka marrë sëpatën nga duart viktimës. Sipas aktakuzës, i akuzuari ka goditur viktimën me bishtin e sëpatës, duke e lënë atë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Si pasojë e goditjeve të pësuara në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, viktima ka vdekur, ndërsa trupi i tij i pajetë është gjetur pas dy ditësh, në një rrugë në afërsi të fshatit Rekë e Allagës, në rajonin e Rugovës në Komunën e Pejës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat