Tentim vrasje në Klinë, 40-vjeçari shpëton për një qime floku nga plumbi – i dyshuari ikë

Kronikë e zezë

Tentim vrasje në Klinë, 40-vjeçari shpëton për një qime floku nga plumbi – i dyshuari ikë

Më: 17 qershor 2022 Në ora: 00:56
Ilustrim

Një 33-vjeçar ka tentuar ta vras një person, në një lokal në fshatin Volljakë të Klinës, në orët e mëngjesit të ditës së sotme.

Rasti ka ndodhur derisa viktima ishte duke dalë nga lokali, kur për një moment i dyshuari nxjerr armën dhe shkrep një herë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se në momentin që i dyshuari ia ka drejtuar viktimës armën, vëllai i tij ka intervenuar duke e shtyrë dhe fatmirësisht nuk ka pësuar askush.

Policia ka marrë informacionin se çfarë ka ndodhur disa orë pasi ngjarja ka ndodhur, pasi viktima e rastit, një 40-vjeçar, nuk e kishte denoncuar rastin menjëherë.

Si rezultat i denoncimit, njësitet policore janë vënë në lëvizje dhe kanë bërë ekzaminimet e nevojshme, me ç’rast në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë dhe predha e plumbit.

Pas mbledhjes së provave, Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër për inicimin e rastit “vrasje në tentativë” dhe ka urdhëruar nisjen e hetimeve për kapjen e të dyshuarit.

Personi që po dyshohet për këtë rast nuk është arrestuar ende nga Policia, por  është bërë i gjallë përmes telefonit, ku ka deklaruar se do të paraqitet vet në stacion policor.

Insajderi ka tentuar të kontaktojë me Policinë për detaje rreth rastit në fjalë, por, të njejtit nuk ishin të qasshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat