Lirohet nga akuza shtetasi i Shqipërisë, akuzohej se i ofroi 20 euro ryshfet policit në Gjakovë

Kronikë e zezë

Lirohet nga akuza shtetasi i Shqipërisë, akuzohej se i ofroi 20 euro ryshfet policit në Gjakovë

Më: 14 tetor 2022 Në ora: 13:48
Foto nga vendngjarja

 I akuzuari Erzen Aliaj, shtetas i Shqipërisë, është liruar nga akuza që e ngarkonte atë se ia kishte ofruar 20 euro ryshfet zyrtarit policor në Gjakovë.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Drilon Haraçia.

Sipas gjykatësit Haraçia, nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ai tha se kartëmonedha prej 20 eurosh i kthehet të akuzuarit pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Paraprakisht në seancën e shqyrtimit gjyqësor të së premtes janë dhënë fjalët hyrëse, është dëgjuar një dëshmitar, janë administruar provat materiale, ka dhënë mbrojtjen e tij i akuzuari, si dhe janë dhënë fjalët përfundimtare.

I akuzuari Aliaj në mbrojtjen e tij ka deklaruar se ditën kritike kur ishte ndalur nga Policia kishte qenë pasagjer në veturën të cilën po e voziste kushëriri i tij K.G.

“Policia i ka thënë K.G se duhet të vëmë gjobë për arsye të maskës, nuk ka pasur të vendosur maskë, ndërsa unë e kam pasur maskën. Pastaj, K.G i është drejtuar se a bon me rregullu këtë punë, me jau pagu gjobën juve, pasi që në Shqipëri gjobat u pagujshin në rrugë, polici për këtë fjalë i ka thënë të arrestojë”, tha i akuzuari.

Ai tha se kishin shkuar për ta paguar gjobën, dhe se të njëjtën e kishte paguar kushëriri i tij dhe se kishin shkuar për ta dorëzuar fletëpagesën në Polici.

“Kur u kthyem ai kushëriri e kishte lënë gjobën dhe fletëpagesën tek ndërruesi i shpejtësisë dhe më tha merre dhe dorëzoja policit, unë në momentin që ia kam dorëzuar policit në dorë ai sa e ka hapë dhe i ka pa të hollat, nuk më ka lënë për të folur dhe më ka thënë se je i arrestuar”, tha tutje i akuzuari.Ai tha se në automjetin e policisë e ka kuptuar se për çka bëhet fjalë pasi që nuk e kishte ditur se 20 euro kishin qenë brenda.

Prokurorja Dëshirë Jusaj në fjalën e saj përfundimtare ka deklaruar se nga provat e administruar është vërtetuar gjendja faktike si në dispozitiv të aktakuzës, duke kërkuar nga gjykata që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Mentor Neziri, tha se Prokuroria nuk ka mundur ta vërtetojë gjendjen faktike të përshkruar në aktakuzë, dhe aq më pak ta vërtetojë dhe arsyetojë kualifikimin ligjor për të cilin ngarkohet i akuzuari.

“I akuzuari nuk e ka kryer këtë vepër penale dhe kjo nga fakti e i akuzuari ditën kritike nuk ka qenë duke vozitur veturën, polici nuk ka komunikuar me të, të njëjtit nuk i është shqiptuar gjoba, të njëjtit nuk i është konfiskuar patentë shoferi, atëherë shtrohet pyetja se për çka do t’i jepte ryshfet policit”, tha ndër të tjera avokati, duke propozuar që i njëjti të lirohet nga akuza.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Erzen Aliaj, më 26 gusht 2021, në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, ka ofruar dhuratë në mënyrë që personat zyrtar të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, pasi më parë zyrtarët policorë kanë ndaluar automjetin të cilin e drejtonte personi K.G nga Shqipëria, ku të njëjtit i shqiptojnë tiketë për mosvendosje të maskës mbrojtëse dhe njëkohësisht ia ndalin dokumentin personal pasi që nuk ishte shtetas i Kosovës, i akuzuari duke qenë si pasagjer pasi kishte paguar tiketën shkon tek zyrtarët policorë për ta marrë dokumentin e dëshmitarit K.G dhe gjatë dorëzimit të pagesës në të kishte futur një kartëmonedhë prej 20 euro, i cili menjëherë ishte arrestuar nga policia.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat