Detaje të reja nga vrasja në “Kobra City”, zbulohet identiteti i viktimës dhe i të plagosurit

Kronikë e zezë

Detaje të reja nga vrasja në “Kobra City”, zbulohet identiteti i viktimës dhe i të plagosurit

Më: 3 janar 2023 Në ora: 07:53 Përditësuar në ora: 09:21 më 03.01.2023
Lokali Kobra City

Detaje të reja nga vrasja në “Kobra City”, zbulohet identiteti i viktimës dhe i të plagosurit

Vrasja në lokalin e natës në dalje të Prizrenit “Kobra City”, që ndodhi mëngjesin e sotëm ka aktivizuar Policinë Rajonale në Prizren, duke shoqëruar për në stacion një numër të madh të personave, të cilët po intervistohen për momentin. Në mesin e tyre është edhe pronari i lokalit, Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”.

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit në një lokal nate në Prizen. 31-vjeçari që ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin e Kukësit është identifikuar si Visart Cengu ndërsa ka mbetur i plagosur Rufgen Shehu, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i mjetit Arben Basha dhe Rufgen Shehu kanë deklaruar në Morinë te Policia Kufitare dhe më pas te grupi hetimor i DVP Kukës që u ngrit për këtë rast se dyshojnë se i ka qëlluar pronari i lokalit të natës “Kobra” në Prizren në momentin që këta po largoheshin me automjet pas sherrit.

Konflikti në lokal ishte i çastit, fizik jo me armë. Shehu ka marrë një plumb në këmbë duke i prekur kockën e gjurit. Pas ndihmës së parë mjekësore në urgjencën e Kukësit, i plagosuri është transportuar në Tiranë për ndihmë më të specializuar.

Ndërsa trupi i viktimës është dërguar në morgun e Tiranës për t’iu nënshtruar autopsisë pasi në Spitalin Rajonal të Kukësit mungojnë specialistët e mjekësisë ligjore.

Vrasja në lokalin “Kobra City”, flasin nga Policia në Prizren

Një person ka ndërruar jetë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur pas një sherri në një lokal nate në dalje të Prizrenit. Policia e Kosovës njofton se sherri me armë zjarri ka ndodhur në lokalin “Kobra City” në dalje të Pirzrenit, sot në orën 04:10. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, policia shqiptare ka njoftuar vdekjen e 31-vjeçarit me iniacialet V. C., dhe plagosjen e R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi. Të njëjtit po barteshin me automjet nga shtetasi A.B., në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit.

Sipas informacioneve të para 31-vjeçari vdiq rrugës për në spital, teksa i plagosuri po qëndron nën kujdesin e mjekëve.

Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha se Policia është duke u marrë me rastin.

“Kemi pranuar informatën rreth orës 04:10 për gjuajtje me armë zjarri në “Kobra City” në dalje të Prizrenit. Një person ka vdekur dhe një është plagosur. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin”.

I pyetur nëse ka ndonjë person të dyshuar nga Kosova lidhur me këtë ngjarje, ai tha se organet e rendit janë duke e hetuar rastin.

Sipas policisë së Shqipërisë, dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokal me disa shtetas kosovarë.

“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre”, raportohet në Shqipëri.

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë në bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat