U denoncua se sulmoi seksualisht gruan e nipit, kërkohet paraburgimi i 47-vjeçarit nga Podujeva

Kronikë e zezë

U denoncua se sulmoi seksualisht gruan e nipit, kërkohet paraburgimi i 47-vjeçarit nga Podujeva

Më: 19 qershor 2023 Në ora: 14:11
Ilustrim

Një rast i tmerrshëm është denoncuar të shtunën në Polici nga një grua në Podujevë, e cila ka raportuar se është keqtrajtuar seksualisht në vazhdimësi nga një i afërm i bashkëshortit.

Gazeta raportoi dje se i dyshuari Emin Halili ka rënë në prangat e Policisë, ndërsa kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur kjo ngjarje.

Ndaj tij, tashmë është bërë edhe kërkesë për caktimin e masës së sigurisë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e këtij institucioni, Laureta Ulaj.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se me aktvendim mbi ndalim nga Prokurori i Shtetit, fillimisht është ndaluar personi i dyshuar, në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe ndaj të njëjtit është kërkuar masa e paraburgimit, pranë Gjykatës kompetente.“, thuhet në përgjigje.

I dyshuari Halili, 47-vjeçar, i cili ndodhet në mbajtje po dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulm seksual”.

Në bazë të informacioneve që ka Sinjali, rastet kur i dyshuari e ka keqtrajtuar seksualisht gruan e familjarit të tij, kanë ndodhur në kohën kur ai nuk ka qenë në shtëpi. Kjo periudhë është shfrytëzuar nga i dyshuari, i cili ka shkuar te shtëpia e nipit të tij dhe dyshohet se ka abuzuar me viktimën, duke kryer marrëdhënie seksuale me të.

Gjithë këto raste, kanë ndodhur në periudha të ndryshme, për të cilat viktima ka dhënë detaje të hollësishme para hetuesve policorë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është intervistuar lidhur me denoncimin kundër tij, me ç’rast e ka mohuar kategorikisht të ketë kryer marrëdhënie seksuale me gruan e nipit të tij.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Me 17.06.2023 viktima femër kosovare ka raportuar se derisa bashkëshorti i saj nuk ka qenë në shtëpi, në vazhdimësi  është keqtrajtuar seksualisht nga (një i afërm i bashkëshortit) i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.”

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat