E tmerrshme: Sulmohet seksualisht një 11-vjeçare në Janjevë, i dyshuari ia vjedh dhe telefonin

Kronikë e zezë

E tmerrshme: Sulmohet seksualisht një 11-vjeçare në Janjevë, i dyshuari ia vjedh dhe telefonin

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 18:04
Ilustrim

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, viktima janë vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur.

Një rast i tmerrshëm dyshohet të ketë ndodhur dje në fshatin Janjevë të komunës së Lipjanit, ku një person ka sulmuar seksualisht një vajzë të vogël.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se babai i të miturës ka denoncuar rastin në Polici, ku ka bërë me dije se vajza e tij ka qenë cak i sulmit seksual, pasi 21-vjeçari dyshohet e ka ndjekur nga pas në rrugë dhe ka dashur ta puth.

Po ashtu, sipas dëshmisë së babait të viktimës, i dyshuari ia ka vjedhur vajzës së tij telefonin xhepi dhe më pas është larguar.

Në kuadër të veprimeve hetimore, është marrë edhe dëshmia e 11-vjeçares, e cila është intervistuar në praninë e zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.

Si rezultat i denoncimit,  i riu është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet për dy veprat penale ‘Sulm seksual’ dhe ‘Vjedhje’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat