Shtetasi i Serbisë tenton ta korruptojë Policinë në Vushtrri për të shpëtuar nga gjoba, iu ofron para

Kronikë e zezë

Shtetasi i Serbisë tenton ta korruptojë Policinë në Vushtrri për të shpëtuar nga gjoba, iu ofron para

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 09:01
Foto ilustrim

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës në shumë raste gjatë kryerjes së detyrave përballen me persona të cilët tentojnë të ofrojnë ryshfet, në mënyrë që të shpëtojnë nga gjoba e procedura tjera të kontrollit e verifikimit. Raste të tilla janë goxha të shpeshta në trafik, ku shoferët futen në telashe me zyrtarët policorë, që tentojnë t’i korruptojnë.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në rrugën magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, derisa një njësi policore ndodhej në një pikë kontrolli dhe ndaloi një kamion, që dyshohet se shkeli rregullat e trafikut.

Mësohet se shoferi i kamionit, shtetas i Serbisë, po dyshohet se gjatë prezantimit të dokumenteve të nevojshme, dyshohet se u ka ofruar zyrtarëve policorë një shumë të të hollave, si ryshfet që të shpëtojë nga gjoba për kundërvajtjen që shkaktoi.

Por, plani i të dyshuarit dështoi, pasi Policia e arrestoi dhe e shoqëroi në stacion policor për intervistim, ndërsa të hollat që i ofroi janë sekuestruar si dëshmi lidhur me rastin.

Posa i dyshuari është dërguar në stacion policor, është vënë në dijeni Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, që tashmë po e trajtojnë rastin.

Ndaj të dyshuarit, pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti në drejtim të veprës penale “Dhënia e ryshfetit”.

Ndryshe, kushdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, për vete apo për një person tjetër i “premton, ofron ose i jep ndonjë dhuratë të paarsyeshme apo përfitim tjetër personit zyrtar, në mënyrë që ai person të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në pesë (5) vjet.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat