Policia zbarkon në një fshat të Suharekës: Arrestohet i riu që gjuajti me armë, sekuestrohen rreth 150 fishekë

Kronikë e zezë

Policia zbarkon në një fshat të Suharekës: Arrestohet i riu që gjuajti me armë, sekuestrohen rreth 150 fishekë

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 08:17
Foto ilustrim

Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallëherë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit.

Një rast i tillë është zbuluar të ketë ndodhur në bjeshkët e fshatit Delloc në Suharekë, por tek tash Policia e ka zbuluar të dyshuarin dhe i njëjti është arrestuar.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 22-vjeçar, i cili dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri, për motive akoma të panjohura.

Pasi Policia ka siguruar pamjet e gjuajtjes me armë, ka zbarkuar në fshatin e të dyshuarit, ku i njëjti është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ndërsa janë sekuestruar dy armë dhe rreth 150 fishekë.

Me t’u përfunduar procedurat e nevojshme, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti në drejtim të veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat