Beteja e shtetit me poseduesit e armëve ilegale, zbulohen dy raste në Gjakovë e Prizren

Kronikë e zezë

Beteja e shtetit me poseduesit e armëve ilegale, zbulohen dy raste në Gjakovë e Prizren

Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 09:18
Foto ilustrim

Posedimi i armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalite.

Mësohen se dy raste të tilla janë zbuluar së fundi në qytetin e Gjakovës dhe Prizrenit.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë ditës së djeshme Policia ka bastisur një lokal në rrugën ‘Wesley Clark’ në Gjakovë, pas informacioneve se një person posedon armë. 25-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ndërsa arma është sekuestruar. I dyshuari do të hetohet në liri për veprën penale  ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndërsa në rrugën ‘Faik Konica’ në Prizren, një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një veturë brenda së cilës ndodheshin dy persona. Gjatë kontrollit në veturë është gjetur një thikë dhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike. 21-vjeçari është vënë në pranga, ndërsa gjërat e kundërligjshme janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale. Me urdhër të prokurorit ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat