I mituri në Viti sillet lirshëm me armë në dorë – kapet në flagrancë nga Policia

Kronikë e zezë

I mituri në Viti sillet lirshëm me armë në dorë – kapet në flagrancë nga Policia

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 13:58
Foto ilustrim

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë, të cilët shpesh dalin të jenë të moshave të reja.

Një rast i tillë është zbuluar të hënën në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Viti, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë pjesë ka ndalur një person.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Policia e ka kapur në flagrancë të dyshuarin teksa po sillej lirshëm me armë në dorë dhe pas verifikimit rezultoi se ishte i mitur.

Pas kontrollit, arma është konfiskuar nga zyrtarët policorë, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat