Arrestohet i dyshuari për prodhim dhe përpunim të narkotikëve, dërgohet në mbajtje

Kronikë e zezë

Arrestohet i dyshuari për prodhim dhe përpunim të narkotikëve, dërgohet në mbajtje

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 08:26
Foto ilustrim

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues, por edhe shpërndarës të substancave narkotike.

Një rast i tillë është zbuluar në rrugën “Hamëz Jashari” në Prishtinë, ku gjatë patrullimit në një pikë kontrolli, Policia ka ndalur një person, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Siç merret vesh, bëhet fjalë për një 23-vjeçar, i cili është kapur me rreth 5 qese me narkotikë dhe dyshohet për veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.

Për pasojë, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit, ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Kushdo që pa autorizim prodhon, kultivon, përpunon, nxjerr ose përgatit substanca apo preparate që janë shpallur si narkotikë ose substanca psikotrope, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat