E sulmoi me armë zjarri një të mitur në Prishtinë, ky është 23-vjeçari që u arrestua nga Policia

Kronikë e zezë

E sulmoi me armë zjarri një të mitur në Prishtinë, ky është 23-vjeçari që u arrestua nga Policia

Më: 1 mars 2024 Në ora: 08:13
Foto ilustrim

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, ku përdoren edhe armët e mjetet e mprehta. Një rast i tillë ka ndodhur para dy ditësh, në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë.

Një 23-vjeçar po dyshohet se ka sulmuar me armë zjarri një të mitur më 28 shkurt, duke i shkaktuar lëndime trupore. Ditën kritike, i dyshuari ka ikur, por gjatë ditës së djeshme ka rënë në prangat e Policisë.

Media mëson se personi që u arrestua lidhur me këtë rast është Arian Krasniqi, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Krasniqi u kap pasi Policia zhvilloi bastisje në shtëpinë e tij, me ç’rast është sekuestruar edhe një armë që dyshohet se e kishte përdorur në rast.

I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, brenda afatit ligjor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat