Ky është grupi i arrestuar për vjedhjen e rëndë në Skenderaj – dyshohen edhe për raste të tjera

Kronikë e zezë

Ky është grupi i arrestuar për vjedhjen e rëndë në Skenderaj – dyshohen edhe për raste të tjera

Më: 6 mars 2024 Në ora: 16:15
Foto ilustrim

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese, e jo vetëm. Hajna herë të vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje të rënda.

Disa të rinj që dyshohet se kanë funksionuar si grup për të kryer vjedhje, e të cilët u zbuluan pas një rasti që u denoncua para disa javësh në Skenderaj, tashmë kanë rënë në prangat e Policisë.

Media ka mësuar ekskluzivisht se të dyshuarit janë Ilir Kadriu, Valmir Kadriu – vëllezër dhe Bajram Selamani dhe Pajtim Selmani, po ashtu vëllezër.

Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në pronat e të dyshuarve, ku kanë gjetur dhe sekuestruar dy automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes më 18 shkurt në Skenderaj, si dhe disa prova tjera që mund të jenë relevante për këtë rast të vjedhjes, por edhe për raste tjera.

Sipas informacioneve që posedon media, të njëjtit dyshohet se janë përfshirë edhe në raste tjera të vjedhjeve në gjithë vendin, për çka drejtoritë rajonale të Policisë po bashkëpunojnë që të zbulohen rastet e tjera.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve dhe të njëjtit do të hetohen për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat