Policia e Shtetit ka sqaruar arratisjen e shtetasit turk nga aeroporti i Rinasit. Në një deklaratë për mediat, pas akuzave të bëra nga Partia Demokratike për këtë ngjarje, policia thekson se turkut me inicialet I. E i është refuzuar hyrja për Shqipëri, pasi nuk justifikonte qëllimin e udhëtimit.
Policia thotë se ai u transferua përkohësisht në zonën e transitit, deri në përfundim të procedurave për kthimin e tij në Stamboll. Duke përfituar nga fluksi i madh i pasagjerëve ai ka dalë duke kaluar tek zona e kontrollit të pasagjerëve dhe më pas ka hyrë ilegalisht në Shqipëri.
Dokumentet e identifikimit të shtetasit turk ndodhen tek oficeri i Policisë kufitare pasi oficeri po plotësonte dokumentacionin përkatës. Turku nuk rezulton person në kërkim apo me probleme me drejtësinë.