Xheloz edhe pas 5 vjetësh ndarje, 33-vjeçari plagos me thikë ish-gruan në rrugë

Kronikë e zezë

Xheloz edhe pas 5 vjetësh ndarje, 33-vjeçari plagos me thikë ish-gruan në rrugë

Më: 10 dhjetor 2016 Në ora: 21:57
Ilustrim

Një 33-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka plagosur me thikë ish-gruan dhe vëllain e saj, me të cilët është ndeshur rastësisht në rrugë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, në rrugën “Fuat Toptani” dhe sipas Policisë, autor i dyshuar është shtetasi Arben Çokaj, nga fshati Lekurtaj i Tropojës, i cili ka arritur të largohet para se të mbërrinte Policia.

Burimet thonë se Çokaj kishte 5 vjet që ishte divorcuar nga e shoqja, shtetasja 25-vjeçare me iniciale F.B., e megjithatë vazhdonte të ishte xheloz për të.

Xhelozia kishte qenë edhe arsyeja e ndarjes së çiftit, 5 vjet më parë, por ai ende nuk e kishte harruar.

Pasi ka parë rastësisht në rrugë ish-gruan, e cila shoqërohej nga vëllai i saj binjak, shtetasi me iniciale M.B., autori i ka ndaluar në rrugë dhe ka nisur të debatojë.

Mësohet se ai i ka kërkuar shtetases F.B. që të kthehej sërish për të jetuar me të, kërkesë që ia bënte vazhdimisht, edhe pse kishin kohë të divorcuar.

Në momentin që ajo e ka refuzuar prapë kërkesën e tij, situata është acaruar dhe Arben Çokaj ka nisur të shajë e ta kërcënojë atë dhe të vëllain. Në një moment, ai ka nxjerrë nga xhepi një thikë, duke ia drejtuar ish-bashkëshortes, transmeton Panorama.

Pikërisht në këtë kohë ka ndodhur edhe plagosja, pasi ish-kunati ka tentuar ta pengojë duke i kapur dorën, me të cilën mbante thikën.

Në përleshje e sipër janë plagosur të dy, vëlla e motër, ndërsa autori i ngjarjes ka arritur të largohet me vrap nga vendi i ngjarjes.

Të plagosurit janë transportuar në Spitalin e Traumës, nga ku kanë dalë pasi kanë marrë ndihmën e parë. Mjekët thanë se plagët e të dyve kanë qenë sipërfaqësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat