Masakra në Vlorë/ Flet babai i njërit prej të vrarëve: Jam më i lehtësuar, u end i lirë 4 vjet…

Kronikë e zezë

Masakra në Vlorë/ Flet babai i njërit prej të vrarëve: Jam më i lehtësuar, u end i lirë 4 vjet…

Më: 22 janar 2017 Në ora: 08:09
Asqeri Isufaj

Asqeri Isufaj, babai i Sokol Isufajt që mbeti viktimë në masakrën në plazhin e Vlorës, ka deklaruar dje se ndihet më i lehtësuar që vrasësi i të birit nuk është më i lirë. Sipas tij, kishte pritur prej kohësh që drejtësia të funksiononte për të birin e vrarë.

“Sot le të themi se ndihem pak më i lehtësuar. Të paktën autori nuk është i lirë se mua djali s’më kthehet më… Por mënyra se si e qysh u vra, nuk gjej dot fjalë që ta them. Unë si baba i Sokolit, që mbeti viktimë në atë tragjedi, kam një keqardhje për dënimin e atij personit tjetër që e kërkoi vrasësin për ndihmë. Edhe ai duhej të dënohej me burgim të përjetshëm. Gjykata nuk ka vepruar drejt. Këtu ka pasur ndërhyrje nga njerëzit e tij”, u shpreh Isufaj.

Sipas tij, autori ka lëvizur i lirë për kaq vjet.

“Si duket, për të mos thënë 100 për qind, e ka ndier veten të rrezikuar atje ku ka qenë dhe përpara Vitit të Ri ka ardhur në Shqipëri, pasi ma merr mendja nuk ka pasur shumë kontrolle edhe për festa. Megjithatë, unë falënderoj policinë që e kapi. Dhimbja, mua dhe familjes sime, nuk na ikën asnjëherë, sepse nuk kishte asnjë arsye të më vritej djali. Sikur të kishte një gabim të vogël djali im, unë nuk do të isha kaq i helmuar, por nuk kishte asnjë gabim, ai kishte shkuar të bënte plazh. Sot ma kanë hequr pak dhimbjen e djalit të ikur”, u shpreh babai i të ndjerit Isufaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat