Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për aksidentin që ka ndodhur në Prishtinë, nga i cili ka vdekur një person dhe katër të tjerë janë lënduar.
Policia raporton se aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 02:00, në kryqëzimin që lidh rrugën “Agim Ramadani” me rrugën “Eqrem Çabej” në Prishtinë, përcjell Bota sot.
Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura të cilat ishin në lëvizje, vetura e tipit “Toyota Korolla , ngjyrë e bardhë , me targa të Kosovës dhe vetura e tipit “Golf IV”, ngjyrë hiri me targa të Shqipërisë.
Si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar pesë persona, njëri prej të cilëve nuk ka arrit të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti në vendngjarje ka ndërruar jetë, bëhet fjalë për viktimën:
Rr. H. 38 vjeç, ( vozitësi i veturës Golf IV), vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në vendngjarje.
Ndërsa personat e tjerë të lënduar ( pasagjerë në veturën Toyota), janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
Lidhur me këtë aksident një person B.B 28 vjeç (ngasësi i automjetit Toyota), është arrestuar dhe me urdhër të Prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48orësh. Ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion.
Gjatë vitit 2017 në rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 7.643 aksidente trafiku prej tyre:
31 Aksidente trafiku me pasoja fatale – 35 persona të vdekur, 2.346 Aksidente trafiku me të lënduar – 4.598 persona të lënduar, si dhe 5.266 Aksidente trafiku me dëme materiale.
“Andaj duke parë si shqetësues këtë numër të madh të aksidenteve të trafikut dhe veçanërisht numrin e madh të viktimave nga aksidentet fatale dhe të personave të lënduar, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik”, thuhet në apelin e Policisë./BS