Xhevdet Kelmendi: Elshani gjuajti me armë në diskotekë

Kronikë e zezë

Xhevdet Kelmendi: Elshani gjuajti me armë në diskotekë

Më: 22 janar 2018 Në ora: 18:47
Xhevdet Kelmendi

Nën masa të rrepta të sigurisë, Xhevdet Kelmendi, është ulur sot në gjykatoren e Pejës për të nisur rrëfimin e tij për konfliktin Elshani-Kelmendi që, sipas prokurorisë, rezultoi me 23 viktima.

Xhevdet Kelmendi është njëri nga meshkujt fundit të rritur të familjes Kelmendi nga Peja. Ai ka dëshmuar sot në gjykimin e njërin prej të akuzuarve për sulme ndaj familjes së tij, përfshirë sulmin ndaj të vëllait Valdet Kelmendi.

Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Granit Elshanin për rastin e ndodhur natën e 2 janarit të vitit 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë. Prokurori Adrew Hughes pretendon se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Anëtari i familjes Kelmendi, gjatë dëshmisë se tij para trupit gjykues, e ka identifikuar se Granit Elshani ishte personi që kishte gjuajtur me armë natën e 2 janarit të vitit 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë.

“Personin që ka gjuajtur e kam parë mirë”, tha Kelmendi. Ai është ftuar ta ri-identifikojë personin që kreu sulmin.

“Po 100% Graniti ka qenë”, u përgjigj Kelmendi, kur prokurori e pyeti a e ndihet i sigurt në atë se çfarë po deklaron. Ai ka rrëfyer se natën kritike ishte prezent në diskotekë.

“Rreth orës 10:00 kam shku në diskotekën “City Club” , vet kam shkuar kam hyrë brenda. Kam pa sigurim tek diskoteka, 2 ose 3 sigurim kanë qenë të dera. Ata i kanë kontrolluar personat që kanë hy brenda në lokal, mua nuk më kanë kontrollu sepse më kanë njohur.  Nuk më kujtohen emrat e sigurimit. Po unë atë natë kam pasur armë me veti, një revole të tipit “TT” dhe katër plumba. Armën e kam mbajtë për shkak të sigurisë time”, tha Kelmendi.

Ai tregoi se brenda në diskotekë ishte takuar me disa shokë të tij dhe vëllain e tij, Valdet Kelmendin, i njohur si Lara.

Një tavolinë afër vendit ku ishte bina ishte vendi që kishin qëndruar atë natë në diskotekë, tha Kelmendi.

Ky i fundit tregoi se pas 10 minutave, vëllain e tij, Valdetin e kishte thirrur pronari i diskotekës, Besart Shabi, në binë për të biseduar.

“10 ose 5 minuta nuk ka ndodhë asgjë. Pastaj asaj diskoteke i hapet tavani (kulmi), edhe kanë hedhur fishekzjarre. Si janë ndalë fishekzjarret, ka kërsit një allti, tri ose katër herë. Moment si ka kërsitë alltia (revolja) jam kthy, e kam nxjerrë armën edhe jam ndalë me kqyrë çka po ndodh. Kur jam kthy e kam pa një person që ka gjuajt me dy armë nga publiku, edhe më pas ka gjuajtur përpjetë (nalt). Ai person ka gjuajtur  në  Valdetin edhe Besartin, tri ose katër herë. Unë kam qenë rreth dy metra nga personi që ka gjuajtur”, rrëfeu Kelmendi.

Tutje Kelmendi shpjegoi edhe për veprimet e tij dhe të personit që kishte gjuajtur me armë në drejtim të vëllait të tij dhe pronarit të diskotekës.

“Momentin kur jam kthy, personi ka qenë i kthyer si anash, pastaj i ka kthy armët përpjetë edhe u tërheqë mbrapa duke gjuajtur me dy armët. Fokusi im i parë ka qenë fytyra e tij. Ai ka qenë me i vogël se unë, unë jam 1.84, ka qenë i ri diku 23 ose 24 vjeçar, ka qenë vital, as i plotë as i dobët në peshë. Lëkurën e fytyrës e ka pas ma të çelët , s’ka pas mjekër as mustaqe. Flokët i ka pas anash te shkurta, ndërsa nalt ma të mëdha, jo shumë të mëdha po normal. Po ka qenë me ngjyrë kafe të flokëve. Ka pasë veshur një jakne të gjelbër  si të ushtrisë, poshtë ka pasur farmerka te kaltra. Momentin kur ka gjuajtur  nuk ka pasë kapele, por në jakne ka pasë kapele. Gjatë ikjes e ka vendosë kapelën në kokë. Ai duke u larguar ka gjuajtur përpjetë, e ka plagosur edhe një femër”, ka rrëfyer Kelmendi.

Ai ka vazhduar edhe takimin me vëllanë e tij.

“Kur kam shku tek Valdeti edhe te Besarti, Valdeti më tha se me ka kapë plumi në krahun e majtë. Pastaj unë kam fillu me e ndjekë personin që ka gjuajt me armë. Kur ka shkruar te tuneli i diskotekës (tek dera diskotekës), ka filluar  me gjuajt në tokë. Ai ka qenë i kthyer me fytyrë nga unë, duke u tërhequr prapa, e me pas u kthy përpara dhe ka dalë jashtë  lokalit. Fytyrën kam mundur t’ia vërej 4 ose 5 sekonda. Me herët nuk e kam pa atë person. Siç kam deklaruar edhe më herët ka qënë me fytyrë të mprehët dhe mollëzat e qitura”, tha Kelmendi.

Xhevdet Kelmendi gjatë dëshmisë se tij, tha se e kishte ndjekur pas personin që kishte shtënë brenda në diskotekë, edhe jashtë saj gjatë ikjes së tij.

Kelmendi tregoi edhe kur ishte plagosur pjesëtari i policisë, i cili tha se kishte kërkuar të ndalohet i dyshuari që po ikte nga diskoteka me revole në duar.

“Pas jam dal nga “City Club”, kam vazhduar nga trotuari anës diskotekës. Andej rrugës e kam dëgjuar një person duke i thënë atij personi që ikte: “ndal policia” dhe ka shku pas tij. Kur ka kërsitë alltia ka qenë afër butikut “Muko”. Meë shumë se 5 herë ndalu, e më pas janë dëgjuar dy krisma të armëve. Unë e kam pa personin (që ikte nga diskoteka) që ka gjuajtur këto dy herë, ai ka gjuajtur nga pas duke ikur në lëvizje. Unë kam qenë në anën tjetër të trotuarit, kur ka gjuajt ai, diku 15 ose 20 metra. Arsyeja pse unë kam qëndruar në anën tjetër të trotuarit është se ka qenë  më e përshtatshme me vrapu pas tij, po edhe për sigurinë time”, theksoi ai.

Dëshmitari Xhevdet Kelmendi, tha se pas tij, kishin shkuar një sigurim i diskotekës dhe disa persona tjerë.

“Tina (nofka e sigurimit të diskotekës) dhe disa djem tjerë kanë qenë pas meje duke ardhur”, tha Kelmendi.

Ai tutje tregoi se e kishte parë edhe policin kur ishte plagosur dhe rrëzuar në tokë nga të shtënat e armës, që sipas tij, kishin ardhur nga personi që kishte shtënë brenda diskotekës.

“Ka kaluar rrugë tek banka në anën e djathtë, edhe ka hy në rrugë ka “Kulla e Pashës”. Kur ka hy teposhtë shkuar ka një lokal thirret “Mimi” më doket, edhe e ka kthyer armën edhe ka gjuajtur dy herë. Armën e ka mbajtur nga prapa në drejtimin tim. Kam qenë larg diku 20 metra, unë e kam ndalë hovin e vrapimit dhe imi, pa mrri te Mimi e ka kthy armën edhe ka gjujatur dy herë. Armën e ka mbajtur nga prapa në drejtim timin. Ka qenë larg diku 20 metra. Unë e kam ndalur hovin e vrapimit edhe kam dashtë me gjuajt, por nuk kam gjuajt me armë se kanë qenë disa gra dhe bërtitshin shumë, e nuk kam gjuajt. Nuk kam arritë me zënë, se atë person ka qenë duke e pritur kerri pak ma poshtë se “Kulla e Pashës”, kah rruga e anës së djathtë ka hyp në kerr edhe u largu. Unë kam gjuajt tri ose katër herë në tokë dhe në ajër për ta ndalur. Ka qenë shumë terr, po sa muj t’i njoh veturat ka qenë Golf 2, po s’jam i sigurt 100 %”, tha Kelmendi.

Dëshmitari më pas tregoi edhe kur ishte takuar me sigurimin e diskotekës që kishte shkuar pas tij me disa persona tjerë, të cilëve nuk ua përmendi emrin.

“Po kam pas kontakt me Tinën (Kushtrim Hyesni, sigurimi i diskotekës) dhe disa djem tjerë. Kur kemi bo muhabet me ta u përmend emri i Granitit. Ka thanë Tina nuk po mundem me besu që ka gjuajt Graniti. Thanë se o Granit Elshani, vëllai i Demës. Aty kanë folë edhe të tjerë, jo veç Tina, po nuk guxojnë me fol në gjykatë se tuten. Jo nuk mundem t’i them emrat e personave tjerë për shkak të sigurisë se tyre”, u përgjigj Kelmendi pyetjeve të prokurorit.

Po ashtu prokurori e pyeti se a është e vërtetë se Granit Elshani ka qenë në të njëjtën shkollë me vëllain e tij, Valdetin.

Xhevdet Kelmendi tha se të dy kanë qenë për një vit bashkë në shkollën ekonomike.

Po ashtu ai tha se e di që shënjestër e sulmit natën e 2 janarit të vitit 2010 ishte vëllai i tij, Valdeti.

“Shënjestër ka qenë Valdeti, me herët edhe unë i kam pasur dy atentate”, tha ai.

Sfidimi me Deklaratat

Më pas avokati i Granit Elshanit, Ndrec Dodaj, i parashtroi pyetje dëshmitarit. Avokati e pyeti Kelmendin se a i kujtohet të jetë deklaruar rreth këtij rasti, para vitit 2016 në prokurori.

Kelmendi tha se nuk i kujtohet, por avokati Dodaj ia përkujtoi deklaratën e dhënë te prokurori, Haxhi Sinanaj.

Dëshmitari theksoi se nënshkrimi i asaj deklarate është i tij, por nuk i kujtohet se çfarë ka deklaruar para 8 viteve.

Në një rast ai foli edhe për fillimin e konfliktit mes familjes Kelmendi dhe Elshani.

“Familja Elshani ka qenë në konflikt me axhallarët e mi, Ismetin edhe Xhekën”, tha ai.

Po kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, kërkoi nga palët që të pyesin vetëm rreth rastit që po gjykohet, e mos të hyhet në historinë e konfliktit.

“Edhe mua më kanë gjetur armë, po më kanë mbajtur 48 orë për dy raste më herët, e ky (Granit Elshani) lëshohet për një orë”, tha Kelmendi.

Vërejtje në deklaratën e Xhevdet Kelmendit pati i akuzuari Granit Elshani dhe avokati i tij, Ndrec Dodaj.

Sipas aktakuzës të ngritur ndaj Granit Elshanit për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fat të keq kishte Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Vëllai i Xhevdetit, Valdet Kelmendi, i njohur në qytetin e Pejës me nofkën Lara, u vra në mes të qytetit në vitin 2014 nga një breshëri plumbash që u shkrepën nga një veturë e tipit Xhip. Në atë rast humbi jetën edhe një person i moshuar dhe u plagosën edhe 5 persona të tjerë.

Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme  të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat