Aksidenti me dy viktima në Jorgucat, zbulohet shkaku: Shoferin e zuri gjumi

Kronikë e zezë

Aksidenti me dy viktima në Jorgucat, zbulohet shkaku: Shoferin e zuri gjumi

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 11:12
Pamje nga aksidenti

Dy gra nga Lazarati kanë humbur jetën dhe një e tretë është në gjendje të rëndë në spital, si pasojë e një aksidenti fatal, ndërsa Policia ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit.

Ngjarja e rëndë ndodhi të premten rreth orës 14:00, në aksin nacional Gjirokastër–Kakavijë, shumë pranë kthesës së fshatit Jorgucat.

Tri gratë janë përplasur nga një makinë tip “Nissan” me karroceri. Sipas Policisë, mjeti me targa GJ 0524 A që drejtohej nga 64-vjeçari Leonidha Klemo, banues në fshatin Grapsh të Dropullit të Poshtëm, ka aksidentuar tri shtetaset, të cilat ndodheshin në anë të rrugës. Ngjarja ka qenë fatale për 40-vjeçaren Haxho Çela, e cila ka humbur jetën në mënyrë të menjëhershme pas goditjes nga pjesa e djathtë e kofanos së makinës.

Të gjendura të papërgatitura, pas një dite të gjatë e të lodhshme pune nën diellin përvëlues, as dy gratë e tjera nuk kanë mundur të reagojnë dhe si pasojë nuk i janë shmangur goditjes nga automjeti. 38-vjeçarja Sili Krishti ka humbur jetën vetëm pak minuta pasi kishte mbërritur në spitalin e Gjirokastrës, ndërsa Pranvera Gjini, 32 vjeçe, e vetmja e mbijetuar, është në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.

Sipas grupit hetimor, mendohet se drejtuesi i mjetit që vinte nga Kakavija, në momentin fatal e kishte zënë gjumi, ndërsa mjeti mori drejtimin lindor të rrugës, duke u përplasur fillimisht me bordurat anësore dhe më pas me gratë, të cilat qëndronin të ulura në bordurë në pritje të mjeteve të rastit, për të shkuar në shtëpi.

Burime për gazetën “Panorama” pohojnë se tri gratë nga Lazarati punonin prej vetëm 20 ditësh në pikën e grumbullimit të bimëve medicinale në Jorgucat. 40-vjeçarja Haxho Çela është nënë e katër fëmijëve, ndërsa 38-vjeçarja Sili Krishti la jetimë dy fëmijë të mitur, më i madhi prej të cilëve në klasën e dytë fillore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat