Grabitja e mobilierisë, roja tregon momentet e tmerrit

Kronikë e zezë

Grabitja e mobilierisë, roja tregon momentet e tmerrit

Më: 16 qershor 2018 Në ora: 16:43
Ilustrim

Dy persona ende të paidentifikuar kanë arritur të grabisin rreth 30 mijë euro në kasafortën e një mobilierie në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të së enjtes, në vendin e quajtur “Ura e Beshirit”, në rrugën Tiranë – Ndroq.

Pasi kanë arritur të neutralizojnë rojën, duke e lidhur, grabitësit janë futur në ambientet e brendshme të mobilierisë, duke hapur me sende të forta kasafortën. Burime nga Policia e Tiranës thanë se janë lajmëruar për ngjarjen disa minuta pasi autorët kishin arritur të largoheshin bashkë me shumën e parave.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr.6, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore. Është marrë në pyetje roja i objektit, i cili ka deklaruar se kanë qenë dy persona, të cilët e kanë zënë në befasi dhe më pas e kanë lidhur, duke i mbyllur edhe gojën që të mos kërkonte ndihmë. Por ai ka thënë se nuk ka arritur t’ua shohë fytyrat dy grabitësve, pasi kishin vendosur kapuça në kokë.

Ndërsa nuk ka arritur të dallojë nëse kanë qenë të armatosur apo jo. Burimet thanë se janë sekuestruar kamerat e sigurisë së objektit, por edhe të disa bizneseve përgjatë rrugës që të çon drejt mobilierisë së grabitur.

Nga verifikimi paraprak i pamjeve filmike, efektivët kanë fiksuar dy grabitësit, por ashtu siç kishte deklaruar edhe roja, atyre nuk u duket fytyra. Ndërsa dyshohet se për të realizuar vjedhjen ata kanë përdorur një automjet, me të cilin kanë shkuar dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Po ashtu, kanë përdorur edhe leva dhe objekte të tjera të forta për të hapur derën kryesore të mobilierisë e më pas edhe kasafortën ku kanë marrë paratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat