Prokuroria: Të dyshuarit kryen 33 grabitje nën kërcënimin e armëve dhe sëpatës

Kronikë e zezë

Prokuroria: Të dyshuarit kryen 33 grabitje nën kërcënimin e armëve dhe sëpatës

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 18:58
Foto ilustruse

Gjykata Themelore e Prishtinës u ka caktuar një muaj paraburgim gjashtë të dyshuarve për të cilët Prokuroria pretendon se në mbrëmjen 12 tetorit kanë shtënë me Kallashnikovë në drejtim të zyrtarëve policorë gjatë ndjekjes së tyre në lidhje me dyshimin për grabitje në 33 raste të ndryshme.

Gjykata aprovoi kërkesën e Prokurorisë që ndaj të dyshuarve Flamur Grisholli, Ilmi Ajrullahi, Fitim Cakolli, Lulzon Shala, Azem Haliti e Xhevdet Shala, të caktohet masa e sigurisë prej 30 ditëve paraburgim.

Sipas Prokurorisë, gjashtë të dyshuarit në bashkëkryerje me personat Kastriot Shala, Ridvan Ademi dhe Leutrim Latifi, të cilët gjenden në arrati, kanë kryer veprat penale në bashkëkryerje – grabitje, grabitje në tentativë, vrasje e rëndë në tentativë si dhe armëmbajtje pa leje.

Këta persona dyshohen se në disa prej rasteve nën kërcënim të dy Kallashnikovëve, një sëpate si dhe një pistolete kanë arritur të kryejnë 33 grabitje në qytete e fshatra të ndryshme.

Përpos 32 rasteve të tjera, sipas Prokurorisë së Shtetit, ditën e premte, më 12 tetor, në terminalin doganor në Podujevë, në bankën “NLB”, të dyshuarit pas planifikimit paraprak në bashkëkryerje e me qëllim të përfitimit kundërligjor dhe përvetësimit të pasurisë të luajtshme, të maskuar dhe nën kërcënim të armëve, një pistolete dhe një sëpate, kanë hyrë në brendi të dy objekteve të terminalit doganor, me ç’rast kanë tentuar të marrin të holla e pastaj janë larguar me veturën “Opel Vectra”, ngjyrë hiri, pa targa, raporton kallxo.com.

Tutje nga Prokuroria thuhet se duke ikur me veturën “Opel Vectra”, gjatë ndjekjes nga Policia, të njëjtit kanë tentuar me qëllim që t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit/policët, në atë mënyrë që kanë shtënë me armë automatike AK-47, në drejtim të njësisë policore dhe kanë ikur nga vendi i ngjarjes në drejtim të fshatit Dumnicë e më pas në fshatin Dobratin pikërisht në vendin ku sipas Prokurorisë kishin qenë një natë më herët, ku edhe është bërë përgatitja dhe nisja për ta kryer këtë vepër penale.

Prokurorja e rastit, Ferdane Sylejmani, gjatë seancës dëgjimore lidhur me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ka theksuar se pas vlerësimit dhe analizimit të kallëzimeve penale, provave materiale që gjenden në shkresat e lëndës, Prokuroria ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit në bashkëkryerje me personat e lartpërmendur të cilët gjenden në arrati kanë kryer veprat penale të lartcituara prandaj me qëllim të sigurimit të pranisë së tyre në procedurë si dhe zhvillimit të suksesshëm të procedurës penale ka kërkuar që ndaj të dyshuarve të caktohet masa e paraburgimit.

Gjatë seancës dëgjimore të gjithë të akuzuarit si dhe mbrojtësit e tyre e kishin kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, me arsyetimin se janë të pafajshëm dhe se nuk i kanë kryer veprat penale për të cilat pretendon Prokuroria.

Vendet për të cilat Prokuroria pretendon se të dyshuarit nën kërcënim të armëve kanë grabitur janë: “Teb Bankë”, “Kep Bankë”, “NLB Bankë”, “Slovenia Petrol”, “Hib Petrol”, “Star Club”, “Star Kazino”, “Cazino Star”, “Albi Mall”, kazino “ACT”, bastore “ACT”, kazino “Eurogame”, kazino “Las Vegas”, “IP Petrol”, kazino “Cojota”, lokali “Apex Club”, “Lloto Sport”, si dhe motel “Flamingo”.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Isuf Makolli, pas seancës dëgjimore, pas deklarimit të palëve në procedurë dhe vlerësimit të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, ka gjetur se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar, thuhet në aktvendimin e siguruar nga kallxo.

Sipas gjyqtarit, kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurën penale, për zhvillimin e pa penguar të procedurës si dhe për të parandaluar kryerjen e ndonjë vepre penale të natyrës së ngjashme pasi që sipas gjyqtarit Makolli, karakteristikat personale të të dyshuarve tregojnë rrezik potencial se po të lihen në mbrojtje në liri do të vazhdojnë me aktivitete kriminale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat