Policia e Librazhdit ka arrestuar një person dhe ka shoqëruar 6 të tjerë, në një aksion të zhvilluar në qytetin në fjalë.
Dyshohet se personat në fjalë shpërndanin lëndë narkotike, ndërkohë që janë kryer edhe kontrolle blic për personat që lëviznin me armë.
Njoftimi i policisë
Policia kontrolle në lokale dhe akset rrugore për kapjen dhe arrestimin e personave që qarkullojnë me armë zjarri, personave në kërkim , apo atyre që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike në afërsi të shkollave. Goditet një tjetër tentative për shpërndarje të lëndëve narkotike në doza të vogla.
Efektivët e Komisariatit të Policisë Librazhd në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, falë një pune të mirë-organizuar, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që ndodhej në një lokal në afërsi të një shkolle, mund të shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla është bërë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Ardit Lleshi, 28 vjeç, banues në fshatin Polis Gostim, Librazhd.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një lokal në afërsi të një shkolle, shtetasit të lartpërmendur në momentin e arrestimit i gjetën një sasi lënde narkotike rreth 6.22 gramë e dyshuar Canabis Sattiva, që e kishte gati për ta shitur.
Shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet në ambiente të tjera dhe në aksin rrugor , ku kanë shoqëruar në ambientet e policisë për verifikim edhe 6 persona, kryesisht me precedentë penal të mëparshëm, si dhe kanë bllokuar 2 mjete për mungesë të dokumentacionit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.