11 të proceduar për tjetërsimin e tokës, 3 në pranga

Kronikë e zezë

11 të proceduar për tjetërsimin e tokës, 3 në pranga

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 10:40
Pamje nga videoja

Në kuadrin e operacioneve të “Forcës së Ligjit”, policia e Kurbinit ka proceduar penalisht 11 persona, prej të cilëve 3 janë arrestuar, dy të tjerë janë shpallur në kërkim, 4 janë proceduar në gjendje të lirë dhe dy të tjerë janë lënë në “arrest shtëpiak”, gjithçka në përfundim të operacionit të koduar me emrin “Hipoteka”.

Të proceduarit dyshohen për falsifikime dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale, duke tjetërsuar një sipërfaqe toke prej mbi 68 mijë metrash katrorë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan certifikata të ndryshme pronësie, akte të marrjes së tokës në pronësi, certifikata të ndryshme familjare, plane rilevimi, harta treguese për Rrethin e Kurbinit.

Të akuzuarit janë ish-punonjës pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Kurbinit, si dhe qytetarë përfitues toke, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe sipërfaqen e tokës në Kurbin.

Mbi bazën e provave të grumbulluara dhe sekuestruara, Gjykata e Shkallës së Parë të Kurbinit ka vendosur më 10 tetor masën e sigurisë “arrest me burg” për Arben Sela, 50 vjeç, banues në Kurbin, përfitues toke; Ndue Gega, 55 vjeç, banues në Lezhë, me funksion hartograf pranë Z.V.R.P.P. Kurbin; Bashkim Lika, 51 vjeç, banues në Kurbin, me funksion kryetar fshati në Fushë Mamurras.

Të shpallur në kërkim me masë sigurie “arrest me burg” janë K.P., 46 vjeç nga Mamurrasi dhe H.A., 54 vjeç lindur në Kurbin dhe banues në Tiranë.

Në “arrest shtëpiak” janë lënë Gj.L. 76 vjeç, banues në Kurbin, me funksion ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave në Mamurras dhe O.M., 69 vjeç, banues në Kurbin, me funksion ish-përgjegjës i Zyrës së Bujqësisë në Bashkinë e Mamurrasit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat