Në 24 orët e fundit, në zonën e përgjegjësisë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, në dy lokacione të ndryshme janë konfiskuar dy armë.
Rasti i parë i konfiskimit të një pistolete është raportuar në orët e mbrëmjes të datës 13 nëntor 2018, në qytetin e Skenderajt, ku pas informacionit të pranuar për të shtëna me armë zjarri, njësitet policore kanë identifikuar lokacionin.
Policia ka arrestuar të dyshuarin B. G.,18 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës i cili dyshohet se ka shtënë me armë në një aheng familjar, nga i njëjti është konfiskuar një armë e llojit pistoletë.
Ndërsa rasti i dytë i konfiskimit të një pistolete është raportuar në orët e paradites së sotme, në zonën e Vushtrrisë, ku është realizuar bastisje, me ç’rast si rezultat i bastisjes është gjetur dhe është konfiskuar një armë e llojit pistoletë.
Në cilësi të të dyshuarit është intervistuar B. B.,53 vjeçar shtetas i Republikës së Kosovës, ku pas procedurave intervistuese dy të dyshuarit janë liruar për procedurë të rregullt.
Ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘përdorim i armës’.