Panariti në Has: Do të shikohet mundësia e kompensimit për kafshët e prekura nga dermatoza nodulare

Kukësi

Panariti në Has: Do të shikohet mundësia e kompensimit për kafshët e prekura nga dermatoza nodulare

Më: 4 gusht 2016 Në ora: 19:58
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti në një fermë gjedhësh në Brenogë, rrethi Has

 Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti i shoqëruar nga Prof.Dr. Luigj Turmalaj, Dekan i Fakultetit të Veterinarisë, veterinerë dhe punonjës të Drejtorisë Bujqësore Kukës, inspektuan sot procesin e vaksinimit në një fermë gjedhësh në Brenogë, rrethi Has, ku sëmundja e dermatozës nodulare është përhapur me shpejtësi. Rrethi i Hasit ka rreth 300 krerë gjedhë të regjistruara dhe deri tani janë të prekura rreth 40 krerë.

Ministri Panariti ka parë nga afër kafshët e prekuara dhe në bashkëbisedim me autoritetet lokale, Shërbimit Veterinar dhe fermerët prezentë në këtë takim, janë caktuar masa të mëtejshme për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje nëpërmjet vaksinimit dhe imunizimin e gjedhëve, menaxhimin e asgjësimit dhe groposjes së kafshëve të prekura.

Fermerët i kërkuan ministrit Panariti mbështetje financiare për gjedhët e prekura nga kjo sëmundje, si e vetmja mundësi për të zëvendësuar popullatën e gjedhit e prekur nga dermatoza nodulare. Blegetoria dhe bujqësia janë mënyra e vetme e jetesës në këto zona.

Ministri i siguroi ata se pas mbarimit të fazës së parë të vaksinimit dhe imunizimit, do të evidentohet çdo rast dhe do të shikohet mundësia e kompensimit. Duke filluar nga dita e nesërme, do të shpërndahen në të gjithë vendin, 165.000 doza vaksina duke arritur në këtë mënyrë në imunizimin e gjithë popullatës së gjedhit në vend.

Me këtë rast, ministri lajmëroi angazhimin e gjithë trupës së veterinerëve në vend dhe të studentëve masterant të Fakultetit të Veterinarisë për të mbyllur sa më parë vaksinimin në të gjithë vendin.

Ministri Panariti kërkoi mirëkuptimin e fermerëve, tregtarëve dhe konsumatorëve për këtë fazë karantine dhe u bëri thirrje të gjithë autoriteteve të monitorojnë dhe të ndalojnë lëvizjet e kafshëve për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. Deri tani në gjithë vendin janë regjistruar në total 425 raste të prekura nga dermatoza nodulare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat