Pandemia dhe industria e filmit

Kultura

Pandemia dhe industria e filmit

Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 19:58
Filmi Tenet, një realizim marramendës i zhanrës së fantashkencës nga regjisori Christopher Nolan

COVID-19 ishte protagonisti kryesor në industrinë e filmit për vitin 2020. Pandemia ishte sinteza e të gjithë personazheve negative në filma: e frikshme, e fshehtë, e panjohur, dërrmuese dhe vrasëse e me një shtrirje të pashembullt. Por 2020 pati edhe disa arritje pozitive në kinematografi: filma që kishin në qendër të subjektit grupime pakicë apo më shumë gra duke reflektuar më mirë larminë e dashamirësve të filmit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou njofton:

Filmi Tenet, një realizim marramendës i zhanrës së fantashkencës nga regjisori Christopher Nolan, mendohej të ishte ndër titujt më të suksesshëm të vitit, por shpresat e realizuesve u dërrmuan nga goditja e pandemisë mbi kinematë. Filmi u përshëndet për trajtimin inteligjent të subjektit dhe për efektet speciale, por u shfaq në pranverë në kinema thuajse të boshatisura nga koronavirusi.

Pas shfaqjes në shkallë globale, filmi realizoi vetëm 300 milionë dollarë të ardhura, një fitim zhgënjyes krahasuar me koston prej më shumë se 200 milionë dollarësh. Ishte një mesazh paralajmërues për studiot e filmave që të shtynin për më vonë premierat e realizimeve të reja në kinema, ose të lejonin daljen e tyre edhe në platformat dixhitale, krahas kinemave.

Një prej tyre ishte filmi Wonder Woman 1984. Ky realizim i studios Warner Brothers, vepër e kineastes Patty Jenkins që ka në rolin kryesor aktoren Gal Gadot, po shfaqet njëkohësisht në kinema si dhe në platformën dixhitale të kompanisë HBO Max. Warner Brothers njoftoi se të gjithë filmat me buxhet të lartë për vitin 2021 do të shfaqen njëkohësisht në kinema dhe në platformën HBO Max.

Platformat dixhitale të transmetimit të realizimeve filmike janë fuqizuar ndjeshëm prej disa vitesh, por masat e izolimit të imponuara në kushtet e pandemisë kanë krijuar zhvendosje tronditëse në industrinë e filmit dhe rrjete transmetimesh si HBO Max, Disney +, Netflix dhe Amazon kanë dalë në plan të parë si gjigandë ekonomikë.

Filmi multiplikativ i kompanisë Pixar, Soul mund të ndiqet përmes platformës dixhitale Disney+. Duke shkuar në prova intrumentale, pianisti Joel Gardner, luajtur nga aktori Jamie Foxx, pëson një aksident të rëndë që i shkakton shkëputjen e shpirtit nga trupi. Brenda pak kohe duhet që shpirti i tij të gjejë mënyrën për t’u bashkuar përsëri me trupin. Soul është pritur me reagime shumë pozitive nga kritikët që e kanë cilësuar si filmin multiplikativ më të mirë të vitit.

Filmi Ma Rainey’s Black Bottom është përshtatur nga vepra e dramaturgut August Wilson. Aktorja Viola Davis luan rolin e artistes së bluzit, Ma Rainey që në vitet 1920 interpretonte së bashku me instrumentistin Levee, luajtur nga aktori Chadwick Boseman në rolin e tij të fundit para vdekjes në gusht. Aktori mund të nderohet me një çmim Oscar pas vdekjes. Filmi po transmetohet përmes platformës dixhitale, Netflix.

Vështirë të imagjinohet sezoni i fundvitit pa një film me aktorin Tom Hanks. Filmi News of the World, një dramë e tipit të filmave me kaubojsa, rrëfen historinë e Kapitenit Kydd, veteran i Luftës Civile amerikane që ka ndërmarrë një udhëtim të rrezikshëm për të shoqëruar një vajzë jetime që po shkon tek të afërmit. Vajza ishte rritur nga fisi indigjen Kiowa. Filmi sjell para publikut amerikan realitetin e viteve 1800 kur fëmijë të bardhë rrëmbeheshin dhe rriteshin mes fiseve indigjene amerikane dhe vështirësitë që ndeshnin këta fëmijë kur duhet të adoptoheshin përsëri me jetën perëndimore. Studioja kinematografike Universal shpreson se ky film me regjisor Paul Greengrass dhe me aktorin Tom Hanks në rolin e kapitenit, do të jetë një ndër realizimet e preferuara për publikun amerikan në këtë sezon festash./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat