Emine S. Hoti prezanton një vëllim të ri poetik

Kultura

Emine S. Hoti prezanton një vëllim të ri poetik

Nga: Viron Kona Më: 19 korrik 2022 Në ora: 14:54
Kopertina e librit

”Dallëndyshe që shkon te fushat e Drenicës,

Merre dhe zemrën time atje ku vlon jeta,

U thuaj se unë drenicarja mërgimtare,

Nga mërgimi i përshëndes, “Tungjatjeta!”

Emine S.Hoti s`ndalet së krijuari, duke na dhuruar vazhdimisht buqeta poezish, që na tërheqin me mendimin e bukur poetik, me stilin e thjeshtë, me gjuhën e pastër dhe sidomos me mesazhet mbresëlënëse që përcjellin në radhë të parë dashurinë për vendlindjen e saj, Kosovën, së cilës poetesha i thur pareshtur vargje që dalin nga zemra dhe shpirti i saj i bukur. E, në këtë hapësirë, ajo i këndon lirisë së Kosovës, apo siç parapëlqen ajo ta quajë, Dardanisë, kësaj treve të pandarë të kombit shqiptar e që tashmë në vitet e lirisë dhe të demokracisë po zbulon përpara botës së qytetëruar vlera të një populli të madh vital e human, i cili lirinë dhe atdheun i ka gjithnjë në vend të parë. Ndonëse i shtypur dhe i copëtuar gjer në mizori të përbindshme, populli i Kosovës, sikurse gjatë gjithë historisë së tij, ka shpërndarë dhe shpërndan vazhdimisht mesazhe paqeje dhe lirie, duke respektuar dhe dëshiruar vlerat më të mira të qytërimit evropian e botëror, gjithnjë me moton ”ne jemi pjesë e Evropës dhe duam të jetojmë si evropianë.”

Libri që kemi në dorë, i titulluar “Të parin kemi atdheun” është i ndarë në disa pjesë, që autorja i parapëlqen t`i quajë “buqeta”. Ato shprehin dhe pasqyrojnë përmbajtje, mesazhe, emocione dhe ndjenja që lidhen ngushtë me atdheun, me dashurinë e autores për vendlindjen; pasqyrojnë natyrën e mrekullueshme e të begatë shqiptare. Te secila prej buqetave poetike lexuesi ndien rrahjet e zemrës së një shqiptareje të mërguar për shkak të gjenocidit të egër e mizor serb mbi Kosovë. Duke shprehur dashurinë për atdheun, poetesha shkruan me sinqeritet poetik dhe figurshëm se atdheun e ka gjithnjë në vend të parë, se ai i nxjerr vazhdimisht gjumin dhe i shfaqet në ëndrra, teksa ajo ndizet nga dëshira që ta shohë atdheun gjithnjë të lirë dhe të lulëzuar, ashtu si dhe kombet e tjera të zhvilluara të Evropës dhe të botës. Mund të themi se të gjitha faqet e këtij libri i përshkon si një fill i zjarrtë malli për atdheun, për vendlindjen, Drenicën dhe fshatin Çikatovë, të cilave poetesha Hoti u thur vargje zemre, duke shprehur mallin e saj për shtëpinë, fqinjësinë e mirë mes banorëve, shpirtin e ndihmës dhe të sakrificës mes tyre, dëshirën e madhe për liri dhe çlirim nga okupatori i egër e shekullor serb, ndërkohë që evokon ëndrrat dhe dëshirat e shqiptarëve në shekuj për liri e pavarësi, si dhe betejat e mëdha të UÇK-së dhe të të gjithë popullit shqiptar të Kosovës mbi pushtuesin gjakatar serb.

Mund të them se, krahas vëllimeve të mëparshme poetike:”Hija e heshtjes”, “Poezitë e nënës”, ”Lulet e vendit tim”, ”Pyesni zemrën”, ”Feniks”, ”Simfonitë e jetës”, ”Të gjithë fëmijët janë engjëj”, ky vëllim i ri poetik i zonjës Hoti shënon një hap të dukshëm përpara në krijimtarinë e saj të begatë.

Buqeta e parë e librit, e titulluar ”Të parin kemi atdheun” çelet me poezinë ”Më thonë pse shkruan?” e ku autorja përmes vargjeve të thjeshta, përcjell mendimin e saj poetik lidhur me motivin pse shkruan: “Më thonë pse shkruan, për çfarë shkruan/U përgjigjem s`shkruaj për emër e lavdi,/ Por për atdheun e lashtë dhe të shtrenjtë,/Fisniken zemërbukur me emrin “Dardani”. Dhe në vazhdim të poezisë ajo i shpreh lexuesit ndjenjat e saj të dashurisë për atdheun e dashur, që e dëshiron të begatë dhe të zhvilluar si të gjitha kombet e botës së qytetëruar. Me një figuracion tërheqës poetik ajo shkruan: “Bashkoj shkronjat shqipe si rrezet diellore:/Gëzuar, Pavarësi! shkruaj me penë të artë,/Ia përcjell me letër malli Dardanisë sime,/Urimin e zemrës sime, si pëllumb i bardhë”. Motive të tilla emocionale shfaqin dhe poezitë ”Testament” dhe ”Si shqiponjat”, kurse te poezia “Dardania ime”, zonja Hoti e thekson këtë mesazh si një emblemë poetike dhe me frymëzim: “Eh, o Dardania ime,/Me ty eci në jetë, me ty ëndërroj,/Ti je tokë e shenjtë shqiptarie,/Te rrënjët e tua marr frymë dhe jetoj”.

Poezitë vijnë radhë si dallgët, kurse poetesha si një pulëbardhë fluturon mbi hapësirë duke përballuar poetikisht erërat dhe stuhitë e kohëve. Te poezia “Kemi qenë dhe jemi evropianë” poetesha i drejtohet botës me theks të lartë artistik,jo me ndjenjën e inferioritetit të një kombi të vogël,por me fuqinë e dinjitetit të një kombi të madh që ka bërë histori dhe kërkon të trajtohet me respekt nga më të fuqishmit.Ajo shkruan: “S`kemi pranuar pushtues e zgjedha barbare,/Motivi ynë ka qenë lufta për mëmëdhe dhe liri,/Shqipen guximtare e kemi në zemër e flamur,/Emri ynë “shqiptar” i ka rrënjët e lashta në Iliri”.

Në vijim ajo ndalet edhe në një aktualitet tronditës, që mban sot nën tension gjithë popujt e botës: Ukraina. Poetesha nëpërmjet kësaj poezie, na përcjell mesazhin e madh se shqiptarët si një komb i lashtë human dhe i qytetëruar, u kanë qëndruar gjithnjë pranë popujve që janë goditur nga forca dhe mizori të tilla, siç është lufta e egër që zhvillohet sot në Ukrainën martire. Duke lexuar këto vargje, çdonjëri nga ne përjeton thellë dhe kujton historinë e lavdishme të popullit shqiptar në shekuj, veçanërisht periudhën e lavdishme të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, por dhe i harmonizon ato poetikisht edhe me ndjenjat e mëdha të humanizmit shqiptar që përhapi nëpër botë Nënë Tereza jonë e shenjtë. Poezinë “Ukrainë”, poetesha e mbyll me vargje që jehojnë si një thirrje e këmbanë e fuqishme dhe që u drejtohet fuqive të mëdha botërore, të gjithë shoqërisë së sotme njerëzore: “Në vend të përleshjeve me avionë e raketa,/Le të ofrojmë bukë e qumësht për fëmijë,/Në vend të shkatërrojmë banesa dhe qytete,/Të përhapim paqe, miqësi dhe dashuri...!”

Buqeta e dytë, e titulluar “Kam mall”, çelet me poezinë “Engjëjt e nënës”, ku autorja Emine S. Hoti shpreh dashurinë për fëmijët, të cilët si nënë dhe si gjyshe i ka shpirt dhe zemër, ndërkohë që ajo e mbyll këtë poezi me mesazhin e madh të dashurisë për ta: ”Ju fëmijët jeni gjithçka në jetë,/Jeni e ardhmja e kësaj toke,/Jeni motivi dhe krenaria jonë./ Jeni bukuritë e kësaj bote”.

Në këtë buqetë spikatin edhe poezitë:”Qielli i ndritshëm i lirisë”, “Yjet xixëllojnë si florinj”, “Sytë e diellit të artë”...Poetesha ndalet gjithashtu edhe te malli i saj për motrën, e cila u nda shpejt nga jeta, por që poetesha e mban fort në zemër si një peng të çmuar. Këtë poezi ajo e mbyll me vargjet: “Në zemër të kam motra ime e shenjtë,/Në hapësirë si meteor i zjarrtë ti ndriçove,/Botës sime i fale shumë dashuri e bukuri,/Erdhe si dritë e bekuar dhe si dritë shkove”. Te buqeta poetike ”Kam mall” shfaqen njëra më mbresëlënëse se tjetra, edhe poezitë: ”Një ëndërr e harruar”, ”Për të ardhmen dhe shpresën”, ”Me dritë dua të jetoj”, “Gjithmonë”, “Dogja shpresat dhe ëndrrat”, “Kam mall”, “Ëndrrat tona”, “Brezat”, “Çikatova ime, dashuria ime”, “Kujtime”, “Fëmijëria”.

Buqeta e tretë e vëllimit, e titulluar “Përvojë nga jeta ime” përshkohet nga mesazhi i respektit dhe i dashurisë së autores Hoti për jetën dhe njeriun. Me një theks dhe ritëm origjinal është shkruar poezia “E kishte emrin, refugjat!”, ku autorja, pasi ka lexuar romanin me temë emigracioni “Drithërimat e yjeve”, denoncon trajtimin çnjerëzor që u bëhet refugjatëve (mërgimtarëve) që, të detyruar nga skamja dhe varfëria, lënë atdheun dhe vërshojnë rrugëve të kurbetit për një jetë më të mirë. Në këtë atmosferë ajo trajton artistikisht fatin e refugjatit shqiptar në Greqi, në fillim të viteve të demokracisë (vitet 1990). Ja sesi shkruan zonja Hoti, duke e përjetuar thellësisht fatin e keq dhe mjerimin e shqiptarit refugjat:”Ti refugjat, unë refugjat, o vëllai im,/Vuajtje edhe ëndrra të errëta çdo natë,/Përjetime të hidhura, edhe dëshpërim,/ E zezë dita, si edhe nata, jemi të pafat!” Në mbyllje të poezisë, zonja Hoti me një ndjenjë qytetarie të lartë i drejtohet shoqërisë me vargjet: ”Vëllezër duhet t`i kuptoni mirë refugjatët,/Duhet t`i kuptoni si rropaten për mbijetesë,/Duhet të kuptoni se paret që dërgojnë te ju,/Janë vetëm vuajtje, ëndrra të vrara, djersë. Dhe nëpërmjet një konkluzioni poetik, ajo shpërthen: ”Fati i keq i refugjatit s`më hiqej nga mendja,/I pastrehë kërkonte vetëm punë, ditë e natë,/Shpërblimi - ca monedha në pallton e grisur, /Mjerimi i lexohej në sy, e kish emrin refugjat!” Mesazhe të tilla të fuqishme shfaqen në këtë buqetë poetike edhe në poezitë: “Vendin t`u tregojmë”, “Mos hidhni baltë!”, “Mendova”, “Mësuesit e mi”, “Më të ligjtë e kësaj bote”, “Pse?”, “Bukuritë e botës”, “Mos e nxi dritën!”, “Drita dhe jeta”, “Bëni mirë!”, ”Guximi të ndjekë ëndrrën”, ”Rruga e zemrës”, “Jeta”, “Të lirë”, “Fëmijët”, “Dëgjoni!”, “Mjaft!”, “Begati”, “Anijen e ngas vetë”, “Dielli na jep mësim”, “Kur jeton me nder”, “Vajzat”, “Një këshillë”, “Të jetojmë jetën”, “Bija të së ardhmes”, “Paqe dhe dashuri”. Po ndalem veçanërisht te poezia “Poetesha e Stokholmit”, në të cilën poetesha Hoti shpreh respektin dhe nderimin për poeten shqiptare me banim në Stokholm, Teuta Haziri, e cila u nda shpejt nga jeta, por që me poezitë e saj i këndoi jetës gjer në fund. Poetesha Hoti e përshkruan kolegen dhe shoqen e saj të paharruar edhe me vargjet: “Ne gratë e kishim përherë shembull,/Mes nesh ishte një shqiptare - zonjë,/I shkonte plisi dhe veshja kombëtare,/Ndaj e krahasonim me një shqiponjë”.

Buqeta e katërt e këtij vëllimi poetik përshkohet nga dashuria e poeteshës Hoti për natyrën, e veçanërisht për natyrën shqiptare për të cilën ajo shprehet me vargje: “Natyrë e bukur në Norvegji,/Natyrë e bukur në Evropë,/Por si natyra e atdheut tim,/S`e gjej dot tjetër në botë!”

Interesante në këtë vëllim është edhe tufa e poezive, të cilat duket se poetesha Hoti i ka shkruar enkas për të përshëndetur fëmijët në festën e tyre të 1 Qershorit. Janë poezi që shprehin ndjenja të thella dashurie të prindërve dhe gjyshërve për fëmijët, që janë e ardhmja e jetës dhe e kombit, janë ata që do të trashëgojnë dhe përcjellin vlerat e arta të shqiptarisë në brezin që vjen. Me vargje pikante, poetesha nëpërmjet mjeteve figurative dhe tempo-ritmit poetik, rrëfen rrahjet e zemrës së saj për fëmijët e shtrenjtë, për nipërit dhe mbesat si “mjaltë i mjaltit”. I shpreh këto ndjenja nëpërmjet vargjeve të shkurtra ritmike, nëpërmjet peizazheve poetike dhe përshkrimeve mbresëlënëse, ku detajet artistike shfaqen si petale lulesh shumëngjyrëse me vesë pranverore që përhapin në ajrin e pastër aroma të këndshme dhe bukuri magjepsëse. Te poezia “Kur fëmijët qeshin e gëzojnë”(peizazh poetik), poetesha Hoti shkruan vargjet: “Jam këtu në kopsht me mbesën dhe me nipat,/Si lulet me ngjyra ata natyrën po zbukurojnë,/Kur andej - këndej luajnë, qeshin dhe gëzojnë,/Ylberi pikturon qiellin, bilbilat nisin e këndojnë”.Kurse te poezia “Atje”, midis vargjeve, zonja Hoti shkruan:”...Fëmijërinë time në Çikatovë nuk e harroj,/Atje nëna ime ninulla të ëmbla më këndoi”. Ose në vazhdim shkruan me ritëm: “Atje mësova të eci, të shkruaj gjuhën shqipe,/Atje mësova fjalët “nënë, baba, atdhe, flamur”,/Atje mësova legjendat më të bukura shqiptare,/Atje mësova që dëshmorët s`vdesin kurrë!”

Po aq interesante shfaqet edhe poezia “Flamuri”, të cilin, si simbol të një kombi, e veçanërisht të kombit tonë, poetesha e ka për zemër ta përshkruajë artistikisht edhe në vëllimet e tjera poetike, por në këtë vëllim ajo i përcjell ndjenjat për flamurin nëpërmjet mendjes dhe veprimeve të fëmijëve, të cilët, ndonëse në moshë ende të vogël, përsëri arrijnë të kuptojnë vlerën dhe rëndësinë e madhe që ka flamuri për kombin shqiptar. Ky flamur është shndërruar vazhdimisht nga populli ynë liridashës në një simbol mbrojtës e luftarak, që shqiptarët e kanë valëvitur në shekuj për të fituar lirinë dhe pavarësinë e vendit. Një flamur ka qenë dhe mbetet për shqiptarët një kështjellë e papushtueshme, ndaj dhe poetesha shkruan: ”Kur ata shohin flamurin me shqiponjë,/Provojnë ta vizatojnë atë flamur kuqezi,/Me duart e vogla dhe me sy e ledhatojnë,/Se është flamuri i Nënës Shqipëri”. Ose, në vazhdim shkruan vargjet:”Te flamuri kuqezi ata përfytyrojnë mëmëdheun,/Përfytyrojnë historinë e kombit tonë shqiptar,/Përfytyrojnë heronjtë,Nënë Terezën,Skënderbeun,/I përmendin ata dhe ndihen krenarë.”

Bie në sy në këtë buqetë edhe poezia: “Drenicë, tungjatjeta!” ku poetesha shpreh ndjenjat e mallit të saj për vendlindjen, duke i përshkuar ato ndjenja me vargje të dala nga shpirti dhe nga zemra: “Duart e grave, të burrave dhe të të rinjve,/E stolisin natyrën me mendje dhe djersë,/Si qëndistari që qëndis veshjet e nuseve,/Për t`u dhënë bukuri, freski dhe jetë”. Dhe në vazhdim: “Ja lejlekët vijnë dhe sjellin mbarësi,/Zogjtë i mbajnë iso këngës së trimërisë,/Je krenaria jonë, o Drenicë fisnike,/I fale bijtë më të mirë atdheut dhe lirisë”. Poezia mbyllet me vargjet: ”Dallëndyshe që shkon te fushat e Drenicës,/Merre dhe zemrën time atje ku vlon jeta,/U thuaj se unë drenicarja mërgimtare,/Nga mërgimi i përshëndes, “Tungjatjeta!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat